
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se fjalët e gruas e cila u vra dje duke pritur mbrojtjen e shtetit “sot tingëllojnë si paralajmërim tragjik që nuk arritëm ta parandalonim”.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ajo kërkoi hetime për përgjegjësinë e prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve që u morën me rastin, ndërsa tha se në këto raste s’kanë asnjë përgjegjësi ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dorëheqja e të cilëve u kërkua sot gjatë ditës.
“Ç’faj ka ministrja Gërvalla ose ministri Sveçla nëse Ministria e Drejtësisë dhe Ministra e Punëve të Brendshme i kanë adresuar legjislacionin dhe mekanizmat që i ka në dispozicion?”, tha Haxhiu.
“Cila është përgjegjësia që ka këtu ministrja e Drejtësisë apo ministri i Punëve të Brendshme”, tha ajo.
Haxhiu tha se si deputetë duhet të angazhohen që “mangësitë e konstatuara të korrigjohen dhe që mekanizmat e mbrojtjes të funksionojnë”.