Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Haxhiu: Hapja e urës mbi Ibër është një hap shumë i rëndësishëm, pres që të ndodhë sa më parë

Gazeta10
01 September 2026 - 22:00

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka folur për situatën në pjesën veriore të Kosovës dhe për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Duke folur në emisionin televiziv “Politiko” në Kanal 10, Haxhiu tha se situata në veri të vendit është tashmë krejt ndryshe nga ajo që ka qenë më herët dhe se hapja e urës për qarkullim paraqet një hap shumë të rëndësishëm.

“Në pjesën veriore të vendit tonë kemi një situatë krejt ndryshe prej asaj më herët dhe konsideroj që hapja e urës mbi Ibër është një hap shumë i rëndësishëm”, deklaroi Haxhiu.

Ajo tha se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur përpjekje për të ndërmarrë veprime të njëanshme, duke e lidhur këtë edhe me raportet që Kosova ka me partnerët e saj ndërkombëtarë.

“Nuk kemi pasur asnjëherë përpjekje që të kemi veprime të njëanshme, për shkak edhe të raporteve që kemi me partnerët tanë ndërkombëtarë”, u shpreh ajo.

Haxhiu tha se i kanë mirëpritur deklaratat e Bashkimit Evropian dhe të KFOR-it lidhur me këtë çështje dhe shprehu pritjen që hapja e urës të realizohet sa më shpejt.

“Ne i kemi mirëpritur edhe deklaratat e BE-së, po ashtu të KFOR-it, dhe presim që kjo të ndodhë sa më parë”, tha Haxhiu.

Sipas saj, ura duhet t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, duke garantuar lëvizjen e lirë.

“Unë mendoj që ura do t’ju shërbejë pa asnjë dallim etnive, pra pa asnjë dallim, qarkullim i lirë”, përfundoi ajo./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.