Albulena Haxhiu, Ministra e Drejtësisë në Kosovë, ka deklaruar se Kodi Civil do të procedohet për votim në Kuvend këtë vit dhe ka ftuar deputetët e pozitës dhe opozitës të mbështesin këtë dokument të rëndësishëm.
Haxhiu ka theksuar se Kosova duhet të dëshmojë përkushtimin e saj për avancimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht përpara vizitës së një delegacioni të Këshillit të Evropës.
“Unë kam thënë që brenda këtij viti do të procedohet Kodi Civil, konsideroj që është një dokument shumë i rëndësishëm dhe sidomos duke pasur parasysh që delegacioni nga Këshilli i Evropës do të vij në Kosovë gjatë këtij viti, është mirë që Kosova të dëshmoj si vend që është për avancimin e të drejtave të njeriut.Ne do ta zbatojmë programin qeverisës që e kemi, do ta zbatojmë agjendën legjislative që e kemi, i ftoj deputetët e Kuvendit, që të japin mbështetje për një dokument që konsideroj që është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, ne e kemi pas diskutim me deputetët e grupit tonë parlamentar, tani më së miri do ta shihni kur ky projektligj do të kaloj në Kuvendin e Kosovës.Unë mendoj që do të duhej të kaloj, nuk besoj që Kosova do të ishte një shembull i mirë në qoftë se për herë të dytë rrëzohet një dokument siç është Kodi Civil, prandaj duke pasur parasysh këtë çështje, uroj që deputetët e grupit parlamentar të Vetëvendosjes dhe opozitës, sepse edhe ata njësoj e kanë për obligim ta mbështesin të njëjtin”, ka thënë ajo.
Ajo gjithashtu ka shtuar se nuk e ka parë padinë e deputetes Blerta Deliu-Kodrës, por insiston se ajo ka keqpërdorur buxhetin e shtetit.
Haxhiu ka njoftuar se do të drejtohet në Komisionin Disiplinor për shkeljen e bërë nga Deliu në Komisionin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Haxhiu gjithashtu ka shtuar se kompensimi i Deliu-Kodrës në këtë komision është kryer pa pjesëmarrjen e saj në mbledhjet e komisionit, dhe kjo është një shkelje e ligjit. Ajo ka shtuar se ata që kanë përgjegjësi për këtë shkelje do të procedojnë në Komisionin Disiplinor, pasi keqpërdorimi i parasë publike është një vepër penale.
“Unë nuk e kam parë padinë, unë kam njoftuar Komisionin për Legjislacion që zonja Deliu-Kodra, ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtare e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit dhe është kompensuar në shpërputhje me legjislacionin në fuqi, ligji për kompensimin e viktimave të krimit, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, para sheh që kompensohesh vetëm nëse merr pjesë në mbledhjet e Komisionit dhe ka rezultuar që ajo ndonëse nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit është kompensuar, sigurisht që për këtë mbajnë përgjegjësi personat përgjegjës në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë tashmë jemi duke i verifikuar të gjitha hallkat e personat që kanë këtë përgjegjësi dhe siguri që do të procedojnë në Komisionin Disiplinor, sepse shpërdorimi i parasë publike, keqpërdorimi i buxhetit publik është vepër penale prandaj edhe duhet të marrim përgjegjësi për këtë”,përfundoi Haxhiu.