
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se seanca konstituive e Kuvendit duhet të vazhdojë sa më shpejt, ndërsa pas konstituimit të Kuvendit duhet të votohet Qeveria dhe më pas të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit.
Duke folur në emisionin televiziv “Politiko” në Kanal 10, Haxhiu tha se përgjegjësinë për thirrjen e seancës konstituive e ka kryesuesi i kësaj seance.
“Seanca konstituive duhet të vazhdojë shumë shpejt. Pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të votohet Qeveria dhe pastaj të vazhdojmë me përpjekjen për presidentin. Përgjegjësinë për ta thirrur seancën konstituive e ka kryesuesi i seancës konstituive”, tha Haxhiu.
Ajo u rikthye edhe te arsyeja pse, sipas saj, seanca nuk është thirrur deri më tani, duke argumentuar se duhet të shmanget hyrja në afate që mund ta vështirësojnë arritjen e një marrëveshjeje për presidentin.
“Arsyeja se pse nuk thirret seanca konstituive është për shkak të rrjedhës së afateve. Pra, më mirë është të bëjmë përpjekje paraprake për ta pasur një marrëveshje për çështjen e presidentit, sesa të futemi në afate që rrjedhin dhe të mos kemi asnjë marrëveshje”, u shpreh ajo.
Haxhiu tha se tashmë janë bërë përpjekje maksimale për të krijuar hapësirë për një marrëveshje ndërmjet subjekteve politike.
“Sot konsiderohet që kemi bërë përpjekje maksimale. Ju e dini shumë mirë që unë, në ditën e 29-të, e kam thirrur seancën e parë konstituive, sepse me Kushtetutë presidenti i ka 30 ditë për ta thirrur. Unë kam shkuar në maksimum për t’u hapur rrugë marrëveshjeve ndërmjet subjekteve politike”, deklaroi Haxhiu./Gazeta10