
Një grup i ekspertëve nga Kombet e Bashkuara, të cilët po e hetojnë qe shtatë muaj shkeljen e të drejtave të njeriut të kryera në Ukrainë, kanë thënë sot se kanë gjetur prova të krimeve të luftës.
Euronews shkruan se ekspertët nga Komisioni Hetimor për Ukrainën, janë fokusuar në katër rajone si Kiev, Chernihiv, Kharkiv dhe Sumy.
Komisioni ka vizituar 27 qytete dhe ka kontaktuar me 150 viktima dhe dëshmitarë, si pjesë e hetimit të tyre fillestar, duke inspektuar varrezat, vendet e ndalimit dhe torturës.
Viktimat kanë treguar për rrahje, goditje elektrike dhe zhveshje të detyruar në qendrat ruse të paraburgimit, tha komisioni.
“Bazuar në provat e mbledhura nga komisioni, arrihet në përfundimin se krimet e luftës janë kryer në Ukrainë”, tha Erik Møse, Kryetari i Komisionit në Këshillin e të Drejtave të Njeriut./Gazeta10