
Të martën është bërë tërheqja e shortit për fazën çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll.
Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, skuadrat që luajnë në këtë fazë kanë mësuar emrat e kundërshtarëve.
Ndeshja më interesante e kësaj faze të Kupës së Kosovës do të jetë ajo ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit.
Prishtina eliminoi Dukagjinin në rrethin e kaluar, derisa Ballkani kishte punë më të lehtë me skuadrën A&N.
Duel tjetër interesant i kësaj faze do të zhvillohet në Mitrovicë, atje ku Trepça 89 do ta presë Gjilanin.
Fituesi i edicionit të kaluar, Llapi do të ketë punë me Malishevën në “Zahir Pajaziti”, derisa Vushtrria mund të konsiderohet si skuadra më me fat në short pasi në çerekfinale përballë do të ketë Beharin.
Ndeshjet e fazës çerekfinale zhvillohen më 15 mars.