Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Hoti kërkon mbledhjen urgjente të Kuvendit pas aktgjykimit në Hagë

Gazeta10
21 September 2026 - 10:27

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar zhvillimet pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se, duke respektuar pavarësinë e sistemit gjyqësor, Kuvendi dhe Qeveria duhet të kenë një qëndrim institucional ndaj aktgjykimit, i cili, sipas tij, nuk është përfundimtar pasi është i shkallës së parë.

Ai ka kërkuar që Kuvendi të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit në shkallën e dytë.

“Para së gjithash, Kuvendi duhet ta bëjë të qartë: askush nuk mund ta kriminalizojë luftën e popullit të Kosovës për mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe për liri”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka kërkuar gjithashtu nga Kuvendi që ta obligojë Qeverinë për mobilizim të plotë diplomatik me aleatët ndërkombëtarë, me qëllim që procesi i shqyrtimit në shkallën e dytë të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë standardet e drejtësisë.

Duke iu referuar protestave që po zhvillohen në Prishtinë, Hoti ka thënë se qytetarët nuk janë duke heshtur dhe se institucionet e Kosovës nuk duhet të heshtin përballë këtyre zhvillimeve.

“Kuvendi duhet të mblidhet urgjentisht dhe të obligojë Qeverinë të veprojë”, ka shkruar ai.

Në fund, deputeti i LDK-së ka bërë thirrje për përgjegjësi institucionale, unitet dhe veprim të koordinuar shtetëror, duke theksuar se Kosova duhet të flasë me një zë në mbrojtje të dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit shtetëror, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e organeve të drejtësisë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.