
Në ceremoninë e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ambasadën amerikane në Prishtinë, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier citoi një pjesë të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës,në cilën thuhet se “Kosova shpallet një Republikë demokratike, laike dhe multietnike, e udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”.
“Ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe bazë e pavarësisë së saj”, tha Hovenier.
Megjithatë, tha ai, “shpresoj se mund të pajtohemi që ndonjëherë Kosova nuk i ka përmbushur premtimet e këtyre idealeve”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës në konceptimin, dhe më pas realizimin e vizionit të pavarësisë së saj, dhe se do të mbeten të palëkundur për të vazhduar këtë mbështetje.
“Në këtë frymë dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës në avancimin dhe arritjen e vizionit të saj themelues: shtetin demokratik, sovran, laik, multietnik”, tha Hovenier.
Ambasadori theksoi se SHBA dhe partnerët perëndimorë mbështesin Kosovën duke ofruar këshilla, e edhe pse kërkojnë “gjëra që duken ose janë vërtet të vështira për t’u bërë”, por se këtë e bëjnë në përputhje me “përkushtimin afatgjatë për të mbështetur popullin e Kosovës dhe për t’iu afruar atyre idealeve shumë ambicioze që ata kanë krijuar për veten e tyre”.