
Sipas ish-ministrit të Jashtëm, deputetit të PDK-së Enver Hoxhaj qytetarët e Kosovës u penalizuan me mungesë të liberalizmit të vizave, nga qeveria aktuale e cila në kohën sa ishte në opozitë krijoji konsipracione që Kosova do të humbë territor.
Hoxhaj në Prime Time tha se vendimi për vizat, nuk do ta ketë më peshën e njëjtë sikur të njëjtat do të liberalizoheshin në vitin 2016-2017, shkruan Gazeta10.
“Më mirë vonë sesa kurrë. Por, i ka humbur sharmi kësaj pune. I ka humbë kuptimi. Kurdo që merret është në interes të qytetarëve të Kosovës. Por, nuk e ka atë peshë e gravitet që do ta kishte në vitin 2016-2017 kur ka qenë e mundur që të ndodhë. Është shembull tipik, që arritjet e vonuara, s’janë arritje. Kjo tregon që s’ka sharmë e as shije kjo punë”, deklaroi Hoxhaj.
Ish-ministri i Jashtëm kritikat më të mëdha për mosliberalizmin e vizave i ka për qeverinë aktuale.
“Kosova viteve të fundit është shndërruar në një vend ku ne i kryejmë disa punë të mëdha, por që nuk i shërbejnë askujt. Arsyeja që s’kemi viza deri tash është përgjegjësi kryesore e kolegëve që janë në Qeveri, por edhe të një pjese që kanë qenë në opozitë të cilët patën shpik tema të rrejshme dhe krijuan konspiracione që Kosova po humbë territor. Ata i penalizuan qytetarët e Kosovës”, shtoi ai. /Gazeta10