
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ata që dorëhiqen nuk mund të kthehen më në sistem duke iu referuar dorëheqjeve në veriun e vendit në sistemin e drejtësisë, raporton Gazeta10.
Haxhiu ka thënë se në bazë të komunikimeve as Këshilli Gjyqësor dhe as ai Prokurorial nuk i ka trajtuar ende dorëheqjet në veriun e vendit në sistemin e drejtësisë.
“Së pari, sipas komunikimimeve që kemi pasur me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial, ata nuk i kanë trajtuar dorëheqjet në mbledhjen e parë sepse siç e dini Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial kanë pasur mbledhje për të diskutuar për këtë çështje për faktin se nuk i kanë pasur të gjitha dorëheqjet”, ka thënë Haxhiu pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
Tutje, Haxhiu ka thënë se ata që dorëhiqen nuk duhet të kthehen sepse kjo është goditje ndaj Kosovës.
“Mendimi jonë është që personat që dorëhiqen nuk mund të kthehen sërish në sistem për faktin se është goditje për sistemin e drejtësisë për Republikën e Kosovës që një gjygjtarë dhe një prokuror sidomos për sistemin e drejtësisë të dorëhiqen për shkak të dirigjimeve që i bëhen nga Vuçiqi”, ka thënë më tej Haxhiu.
Kujtojmë se serbët në veriun e Kosovës janë tërhequr nga institucionet e Kosovës pas supsendimit të komandantit të policisë rajonale të veriut nga Qeveria e Kosovës, Nenad Gjuriq. / Gazeta10