
Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftoi se e kanë ndaluar për 48 orë A.B., i cili ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në kryeqytet.
Sipas Prokurorisë, A.B. ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, duke vënë jë vulën në një dokument të falsifikuar me titullin “kontratë për shitblerje”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot me datën 16.11.2026 me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet A.B. i cili ka ushtruar detyrën e udhëheqësit të Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Me këto veprime i dyshuari A.B., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Sipas dyshimeve të bazuara që rezultojnë nga hetimet e zhvilluara, i dyshuari A.B., në cilësinë e personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrave të tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vete dhe personave të tjerë, dyshohet se ka krijuar dosje fiktive, duke vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një dokumenti të falsifikuar, të titulluar “Kontratë për shitblerje’’”, thuhet në njoftim.
Me këtë, Prokuroria thotë se A.B. i kishte mundësuar një shtetasi të Serbisë me inicialet M.B. – i cili ndodhet në arrati – regjistrimi i një prone banesore në Prishtinë.
“Në kuadër të veprimeve hetimore, personi me inicialet M.B. shtetas i Serbisë i cili aktualisht ndodhet në arrati, i është mundësuar regjistrimi i një prone banesore në emrin e tij në Zyrën Kadastrale në Prishtinë. Prona në fjalë ka në sipërfaqe prej 55.89 m², dhe gjendet në Zonën Kadastrale në Matiçan”, thuhet në njoftim.
Prokuroria tha se do të kërkojë paraburgim për A.B.
“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe ndjekjen penale të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim.