Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Humbja e parë pas 15 ndeshjeve: 4 vite që nga performanca bravoroze e Kosovës ndaj Anglisë në “St Mary’s”

Gazeta10
10 Shtator 2023 - 17:02

Ishte 10 shtatori i vitit 2019. Kosova do të përballej me një kundërshtar tejet të vështirë. Një kundërshtar që atë kohë ishte i 4-ti në ranglistën e FIFA-s.

Në “St. Mary’s”, Anglia po mirëpriste Kosovën, e cila deri në atë ndeshje kishte një seri prej 15 takimeve pa humbje. Ndeshje kjo që po luhej për kualifikimet në “EURO 2020”.

Pas 10 fitoreve dhe 5 barazimeve, më në fund Kosova ndalej nga yjet e futbollit anglez dhe botëror.

Në Southampton të Anglisë, skuadra e “Tre Luanëve” shënoi fitore jo të lehtë prej 5-3, me “Dardanët” që shënuan rekord po në atë ndeshje, ndonëse pësuan disfatë.

Skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes në atë kohë, ishte e vetmja kombëtare që nga vitit 2008 që i shënonte Anglisë 3 gola në ndeshjet e saj si vendas.

Goli i hershëm i Valon Berishës në minutën e parë i ‘ndezi motorët’ e anglezëve, të cilët pas përfundimit të pjesës së parë shënuan 5 gola për një rikthim të ‘fuqishëm’.

Ndonëse pësuan 5 gola, në pjesën e dytë Kosova vazhdonte me paraqitje të mirë, gjersa në skenë doli përsëri Valon Berisha, i cili pas një harkimi të mirë nga Vedat Muriqi shënonte golin e dytë të “Dardanëve” në atë ndeshje.

Kosova nuk u ndal me aq. Të besuarit e Bernard Challandes shënuan edhe golin e tretë, kësaj here nga penaltia përmes sulmuesit Vedat Muriqi.

E kur jemi te penaltitë, nga pika e bardhë dështoi të shënojë Harry Kanë, pasi gardiani i portës, Arijanet Muric priti penaltinë e bomberit anglez.

Kështu, ndeshja përfundoi me rezultat 5-3, me Kosovën që doli ‘kafshatë’ e vështirë për Anglinë.

Ndonëse pësuan disfatë, kështu edhe duke ‘prishur’ rekordin e 15 ndeshjeve pa humbje, mirëpo paraqitja e asaj nate në “St. Mary’s” do të mbetet gjithmonë në historinë e kombëtarës së Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.