Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

IKD kërkon nga presidentja Pula që mandatin ta ushtrojë me pavarësi, transparencë dhe në mbrojtje të rendit kushtetues

Gazeta10
08 October 2026 - 14:27

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente e Republikës së Kosovës, rikujton se Presidentja ka një rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve dhe në përfaqësimin e shtetit brenda e jashtë vendit. duke shtuar se Kushtetuta ia beson asaj kompetenca të rëndësishme në raport me ligjet, drejtësinë, sigurinë, politikën e jashtme dhe institucionet e pavarura, përfshirë rolin e Komandantes Supreme të FSK-së.

Sipas IKD-së, presidentja duhet të jetë zë i të gjithë qytetarëve, mbi interesat partiake dhe llogaritjet e shumicave të përkohshme politike.

“Për këtë arsye, IKD kërkon nga Presidentja Shiroka-Pula që, në fillim të mandatit, të paraqesë publikisht qëndrimet dhe angazhimet e saj lidhur me këto dhjetë çështje kryesore:
1. Kushtetuta dhe funksionimi demokratik i institucioneve

Si do ta ushtrojë Presidentja detyrën kushtetuese për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve? A do të reagojë publikisht dhe në kohë kur cenohen ndarja e pushteteve, mandatet e institucioneve, procedurat kushtetuese apo kur vendi përballet me bllokada të institucioneve?

2. Dhomat e Specializuara, personat e zhdukur dhe drejtësia për viktimat
Cili është qëndrimi i saj lidhur me zhvillimet e fundit për Ligjin për Dhomat e Specializuara, të drejtat e të akuzuarve, të drejtat e viktimave dhe respektimin e pavarësisë gjyqësore? A do ta trajtojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe dokumentimin e krimeve të luftës si prioritet të përhershëm shtetëror?

3. Partneriteti me SHBA-në, BE-në dhe integrimi euroatlantik

Si do ta udhëheqë politikën e jashtme për rinisjen e dialogut strategjik dhe forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për avancimin e statusit të Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës? A do të garantojë koordinim të institucioneve në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë?

4. Pavarësia nga partitë politike dhe përfaqësimi i të gjithë qytetarëve
Çfarë standardi do të vendosë për ta dëshmuar se nuk do të jetë përfaqësuese e interesave të subjekteve politike që e kanë mbështetur zgjedhjen e saj? Si do të sigurojë komunikim dhe konsultim të barabartë me opozitën, shoqërinë civile, komunitetet dhe qytetarët?

5. Kthimi i ligjeve për rishqyrtim dhe mbrojtja e interesit publik
Si do ta përdorë kompetencën për kthimin e ligjeve në Kuvend për rishqyrtim, kur vlerëson se ato janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës? A do të vendosë një praktikë transparente për arsyetimin publik të dekreteve të saj për shpalljen apo kthimin e ligjeve?

6 . Sundimi i ligjit, drejtësia dhe emërimet në sistemin gjyqësor e prokurorial

Si do të sigurohet që kompetencat e saj lidhur me emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, prokurorëve, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit të ushtrohen me integritet, pa ndikim politik dhe me respekt të plotë për pavarësinë e sistemit të drejtësisë?
7. Lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e institucioneve të pavarura

Si do të reagojë Presidentja ndaj përpjekjeve për kapjen e institucioneve, emërimeve jomeritore, nepotizmit dhe konfliktit të interesit? A do ta përdorë autoritetin e saj kushtetues për të kërkuar llogaridhënie dhe respektim të standardeve të integritetit në institucionet publike?

8. Dialogu me Serbinë, sovraniteti dhe marrëveshjet ndërkombëtare
Cili është vizioni i Presidentes për dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e njohjes reciproke? A do të sigurohet që çdo marrëveshje ndërkombëtare të respektojë sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës?

9. Siguria kombëtare, FSK-ja dhe veriu i Kosovës

Si Komandante Supreme, çfarë prioritetesh do të ketë Presidentja për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, bashkëpunimin me aleatët dhe KFOR-in, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të territorit të Republikës?
10. Të drejtat e njeriut, komunitetet, mirëqenia sociale dhe llogaridhënia para qytetarëve

Si do ta udhëheqë Këshillin Konsultativ për Komunitete dhe si do të angazhohet për mbrojtjen nga diskriminimi, barazinë gjinore, të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe integrimin e tyre në jetën institucionale? Si do ta përdorë autoritetin e saj për të nxitur konsensus institucional për arsimin, shëndetësinë, mundësitë për të rinjtë, punësimin, uljen e varfërisë dhe adresimin e emigrimit? A do të krijojë praktikë të rregullt të konferencave për media, shpjegimit të vendimeve, transparencës së dekreteve dhe raportimit publik për punën e saj?

IKD vlerëson se Presidentja duhet të sqarojë publikisht edhe qëndrimin e saj për procesin nëpërmjet të cilit është zgjedhur. Në veçanti, ajo duhet të deklarohet nëse vlerëson se zgjedhja e saj është zhvilluar në pajtim të plotë me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat parlamentare, si dhe nëse do të respektojë çdo vlerësim juridik e kushtetues lidhur me këtë process në qoftë se do të iniciohet rast në Gjykatën Kushtetuese.

Mandati pesëvjeçar i znj. Shiroka-Pula nuk do të matet përmes deklaratave, por me gatishmërinë për të mbrojtur Kushtetutën edhe atëherë kur kjo kërkon kundërshtimin e shumicës që e ka zgjedhur Presidenten. IKD do ta monitorojë ushtrimin e këtij mandati në raport me Kushtetutën, sundimin e ligjit, interesin publik dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve”, thekson Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.