
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të National Endowment for Democracy (NED), ka publikuar raportin e monitorimit për zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2025–2026 dhe Planit të Veprimit për vitin 2025. Prezantimi i raportit u bë në një tryezë të mbajtur në Prishtinë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas gjetjeve të raportit, progresi në zbatimin e strategjisë gjatë vitit 2025 ka qenë i kufizuar, ndërsa reformat në sundimin e ligjit kanë mbetur në ngërç. Si arsye kryesore u përmendën krizat politike, mungesa e koordinimit ndërinstitucional dhe mosfunksionalizimi i mekanizmave kyç të zbatimit. Po ashtu, u theksua se strategjia ka funksionuar për më shumë se një vit pa një plan operacional funksional, gjë që ka ndikuar në realizimin e aktiviteteve të parapara.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Qemajl Marmullakaj, theksoi se problemi nuk qëndron vetëm te numri i strategjive, por te mënyra e hartimit dhe zbatimit të tyre. Sipas tij, dokumentet strategjike shpesh përgatiten pa analiza paraprake, pa koordinim të mjaftueshëm dhe pa lidhje të qartë me kornizën buxhetore, duke rezultuar në mungesë të rezultateve konkrete.
Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se moszbatimi i aktiviteteve të parapara përbën mungesë përgjegjësie institucionale dhe mosrespektim ndaj partnerëve ndërkombëtarë që kanë mbështetur reformat në sektorin e drejtësisë.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës u theksua se janë ndërmarrë mekanizma të brendshëm për të siguruar që objektivat strategjike të mos mbesin vetëm deklarative, ndërsa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës u vlerësua se reforma në drejtësi është proces i vazhdueshëm që duhet të matet me rezultate konkrete për qytetarët.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Selvije Elezaj, tha se zhvillimet politike dhe zgjedhjet e shpeshta kanë ndikuar negativisht në zbatimin e strategjisë dhe funksionimin e institucioneve.
Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare theksuan mungesën e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe nevojën për më shumë përgjegjësi institucionale, koordinim dhe monitorim efektiv.
Në përmbyllje të tryezës, IKD kërkoi forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional, funksionalizim të plotë të mekanizmave të monitorimit dhe prioritizim të reformave që nuk varen nga zhvillimet politike, me qëllim që Strategjia për Sundimin e Ligjit të prodhojë rezultate të matshme për qytetarët.