
Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Qeriqi në Politiko tha se prioritetet kryesore në fushën e sigurisë do të jenë forcimi i ushtrisë, investimet në armatim modern dhe avancimi i kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Qeriqi ka theksuar se në kuadër të planprogramit janë paraparë investime prej 1 miliard eurosh për ushtrinë, duke përfshirë pajisje, armatime, infrastrukturë dhe zhvillim të personelit profesional ushtarak.
“Prioritetet kryesore të sigurisë janë ushtria, ku keni dëgjuar se koncepti 1 miliard euro do të jenë për ushtrinë. Janë të parapara të gjitha pajisjet dhe armatimet. Ushtria profesionale ka të parapara investimet në personel, në pajisje dhe në infrastrukturë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, këto investime janë vazhdimësi e punës së bërë deri më tani në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe synojnë zgjerimin e bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë dhe avancimin e rrugës drejt integrimit në NATO.
“Kemi me e rritë bashkëpunimin dhe integrimin për rrugën drejt NATO-s. Do të punojmë më shumë me aleatët, duke përfshirë stërvitjet dhe ushtrimet e përbashkëta”, u shpreh Qeriqi.
Ai ka folur edhe për konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, duke theksuar se do të ketë integrim të profileve të ndryshme ushtarake në ushtri, si dhe investime në industrinë ushtarake vendore.
“Sot kemi filluar me industrinë ushtarake, ku do të kemi edhe dronë ‘Made in Kosovo’ dhe pajisje të tjera moderne. Tashmë jemi në fazën e tretë të tranzicionit, ku kemi pajisje më të avancuara dhe më të shtrenjta”, deklaroi ai.
Qeriqi shtoi se synim i rëndësishëm mbetet ngritja e kapaciteteve për pavarësi në sektorin e mbrojtjes, duke përfshirë edhe ndërtimin e fabrikës së municionit.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/FOpI8dDHkUM