
Iniciativa qytetare e Mbijetesa Serbe dhe ajo e Zubin Potokut kanë kërkuar nga Qeveria e Serbisë, që t’i paguajë gjobat e targave që do bëhen nga Qeveria e Kosovës, dhe të njejtat kanë paralajmëruar edhe mundësinë e ngritjes së barrikadave, raporton Gazeta10.
Në njoftimin e tyre thuhet se ata janë thellësisht të shqëtësuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Më tej, thuhet se ky vendim duhet të anulohet menjëherë.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për rrezikun që pronarët e rreth 9000 automjeteve me targa të përmendura fillimisht të gjobiten, e më pas t’u konfiskohen automjetet. Në asnjë rrethanë nuk e mbështesim vendimin e rafinuar estetikisht të Qeverisë së Kosovës, sepse ai nuk jep zgjidhje thelbësore dhe paraqet një shtrëngim gradual të lakut në qafën e qytetarëve serbë. Kërkojmë që masa e përmendur të anulohet menjëherë dhe qytetarët të lejohen të lëvizin lirshëm pavarësisht targave që kanë! Në rast të shqiptimit të gjobave masive ndaj pronarëve të targave serbe, sugjerojmë që Qeveria e Republikës së Serbisë t’i mbulojë të gjitha shpenzimet që rezultojnë, sepse ishte qeveria ajo që u pajtua që të ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës në vitin 2016, që i jep më shumë argument Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Më tej, thuhet se Lista Serbe po insiston në destabilitet meqë ka kohë që nuk po largohen nga institucionet pavarësisht se e kanë premtuar një gjë të tillë.
Në këtë komunikatë paralajmërohet edhe ngritja e barrikadave dhe thuhet se Lista Serbe nuk duhet të fshihet pas popullit.
“Lista Serbe insiston në jostabilitet, në vend të zgjidhjeve, duke i dhënë ende legjitimitet partnerëve të koalicionit në qeverinë e Albin Kurtit. Do të ishte më mirë që ata të luftonin kur të largoheshin nga institucionet e Kosovës – siç kanë premtuar shumë herë! Nëse do të ngrihen sërish barrikada, i bëjmë thirrje liderëve të Listës Serbe që të mos fshihen pas popullit, siç kanë bërë deri më tani”. / Gazeta10