
Ish-ambasadori shqiptar në Kosovë, Arben Çejku, tha se paketa e përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë, e cila do t’i paraqitet presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për miratim, kërkon nga palët angazhim dhe lëshime.
Këtë ai e deklaroi në intervistën me Merita Haklajn, ku tha se Kosova ndodhet në stanjacion dramatik, ku nuk po ushtron dot sovranitetin e plotë në veri si dhe në arenën ndërkombëtare. Në këto kushte, thekson Çejku, Kosova duhet të bëjë lëshime.
“Ajo që mund të them është se flitet për një paketë të përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë e vendorë dhe kjo do i paraqitej Kurtit dhe Vuçiçit për ta miratuar. Nuk ka rëndësi nëse e njeh Vuçiç, por e rëndësishme është ta njohë Serbia. Kjo paketë kërkon angazhim nga palët sidomos nga Kosova që duhet të bëjë lëshime. Të jemi të përgjegjshëm për sfidat dhe duhet konvergim i energjive për të përballuar këtë sfidë. Kosova është shtet i pavarur por nuk po arrin dot të ushtrojë siovranitet të plotë as në veri dhe as në arenën ndërkombëtare ku ka stanjacion njohjesh dhe nuk ka avancim të mëtejshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Këto janë dy realitete që duhet t’i pranojmë. Përderisa ky proces ka ngecur në mënyrë dramatike, atëherë Kosova duhet të përgatitet për të bërë hapa të mëtejshëm. Kurti është lideri që ka ardhur me retorikë kundër pavarësisë dhe bisedimeve të Vienës, retorika e tij ka qenë e qartë dhe kundërshtimet e tij të asaj që ka konsideruar si Zajednica. Bashkësia e komunave serbe në Kosovë është brenda paketës Ahtisari dhe Kosova është bërë shtet duke patur bazë paketën Ahtisari. Kërkohet një pranim i saj, sepse aty ka ngecur e gjithë problematika e marrëdhënieve me Serbinë. Janë gjëra shumë të thjeshta. Vuçiçi ka thënë: Ne mund ta pranojmë Kosovën, por duhet të marrim diçka në këmbim, edhe atëherë ishin afër një zgjidhjeje. Në dijeninë time paketa përmban njohjen e komunave serbe në Kosovë”./Gazeta10