Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Ish-anëtari i Bordit të RTK-së paralajmëron padi pasi u shkarkua kundërligjshëm

Gazeta10
01 August 2023 - 23:17

Ish-anëtari i Bordit të RTK-së, Albinot Maloku, ka deklaruar se sot ndjehet i çliruar, pasi Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se shkarkimi i tetë anëtarëve të Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës në korrik të 2021-s, është bërë pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për RTK-në.

Sipas tij, ata që e shkelin Kushtetutën e Republikës nuk janë kriminelë, por super kriminelë.

Prandaj, ai ka paralajmëruar se do t’i padisë deputetët e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie e Zhvillim Rajonal dhe deputetëve të Komisionit Parlamentar për Punë e Transfere në Kuvendin e Kosovës, “të cilët si mjet përdorën numrat e arrogancën, në vend të argumenteve dhe qasjes profesionale”.

“Me durim e i vendosur, maksimalisht profesional dhe në respektim të plotë të patriotizmit kushtetues, e të ligjshmërisë, i zgjedhur në kapacitetin individual nga deputetët e Kuvendit të Kosovës (14 gusht 2020), të legjislaturës së kaluara, i mbështetur nga të gjitha rrymat politike në përbërjen e saj, për dhjetë muaj e njëzet e katër ditë, i kam dhënë angazhimin tim, transmetuesit publikë, të cilit veç se i dua të mirën, suksese e përparim i urojë. Deputetët, të cilët me nën yryshin e ndryshimeve dhe pa zgjedhur asnjë mjet, provuan të rrënojnë integritetin personal e profesional, kjo me siguri do të jetë e pafalshme! Duhet e kanë për tu përballur me të gjitha mjetet ligjore, që të zbatohet drejtësia e munguar”, shkroi ai në Facebook.

“Sot pasi Gjykata Kushtetuese e dha vendimin e vet, në planin emocional, ndjehem i çliruar, pasi ndjesia e shkarkimit të padrejtë nuk ishte e mirë. Vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cilësojë vetëm fillim të fundit të një episode, e cilën pa merit më është imponuar ta kalojë”, shtoi ai.

“Pas vendimit do të kontaktoj avokatin për të nisur procedurën e padisë civile ndaj deputetëve të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Medie e Zhvillim Rajonal dhe deputetëve të Komisionit Parlamentar për Punë e Transfere në Kuvendin e Kosovës, të cilët si mjet përdorën numrat e arrogancën, në vend të argumenteve dhe qasjes profesionale”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.