Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Ish-kolonelë dhe shoqëria civile e kritikojnë Mehajn për mostransparencë në Ministri të Mbrojtjes

Gazeta10
08 August 2023 - 20:08

Raporti: Viola Korça
Për punën e Armend Mehajt në krye të Ministrisë së Mbrojtjes nuk janë kursyer as kritikat. Ish-kolonelë të FSK-së dhe nga shoqëria civile e kanë kritikuar atë për mostransparencë, veçmas me rastin e Fondin të Sigurisë së Kosovës. Ata kanë thënë se në asnjë formë shumat e mbledhura në fond do të duhej të bëheshin publike, për të larguar dyshimet rreth keqpërdorimeve.

Me largimin e tij nga posti i ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj ka marrë me vete edhe sekretin e shumës së mbledhur në Fondin e Sigurisë.

Kur janë bërë më shumë se një vit nga themelimi i këtij fondi, nga Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk kanë pranuar të japin detaje, duke e klasifikuar atë si sekret shtetëror.

E pas dorëheqjes së Mehajt, atij i janë kërkuar informata për shumën e parave që janë grumbulluar në këtë fond.

Ish-koloneli ushtarak në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Hysen Gecaj, ka kritikuar ish-ministrin Mehaj për mënyrën se si e ka menaxhuar këtë fond.

Sipas tij, mungesa e transparencës në këtë rast, lë shumë dyshime për keqpërdorime.

Ndërkaq, kritika ndaj Mehajt për mostransparencë kanë adresuar edhe nga shoqëria civile.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ka thënë se Fondi i Sigurisë nuk do të duhej të ishte sekret shtetëror dhe se mjetet e mbledhura për të, sipas tij, do të duhej të bëheshin publike.

Ndryshe, më 1 mars të vitit 2022, kur ishte bërë publik themelimi i Fondit të Sigurisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se paratë e mbledhura do të shfrytëzohen për përmbushjen e nevojave të FSK-së.

Por, që nga atëherë vazhdimisht ka pasur kritika ndaj ekzekutivit që nuk ka bërë publike shumat e mbledhur për këtë fond, për çka kanë kontribuar qytetarë të ndryshëm brenda dhe jashtë Kosovës./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.