
Të kundërligjshme po konsiderohen 24 vendimet e djeshme të qeverisë në detyrë, përderisa shumica e kabinetit qeveritar janë betuar edhe si deputetë të Kuvendit të Kosovës më 6 gusht.
Në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të Kosovës, e zhvilluar në mënyrë elektronike më 12 gusht, janë miratuar disa vendime për emërim të komisioneve për pranim të kategorisë së lartë drejtuese për pozita nëpër ministri, si dhe disa vendime të tjera.
Por, sipas ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, këto vendime janë në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës dhe nenin 26 të Ligjit për Qeverinë.
Ai thekson se këto vendime nuk mund të shpallen automatikisht të shfuqizuara, por duhet të iniciohet procedura para Gjykatës Supreme dhe ajo të përcaktojë se janë në kundërshtim me ligjin.
Siç thotë Shala, edhe vitin e kaluar Supremja e kishte shfuqizuar një Udhëzim Administrativ të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, pasi i njëjti ishte betuar si deputet.
“Këto vendime janë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me vetë Ligjin për Qeverinë. Mirëpo, këto vendime nuk mund të shpallen automatikisht ‘nul’, por duhet të iniciohet procedura para gjykatës dhe sigurisht atëherë edhe gjykata do të përcaktojë se këto vendime janë në kundërshtim me ligjin… Kjo dispozitë është e qartë dhe thotë para certifikimit. Këta jo vetëm që janë certifikuar, por edhe kanë dhënë betimin në parlament. Këta kanë rënë ndesh me këtë ligj të cilin vetë e kanë miratuar”, thekson ai.
Të kundërligjshme vendimet e qeverisë në detyrë i konsideron edhe Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Bugaqku thekson se legjislacioni në Kosovë nuk lejon ushtrimin e njëkohshëm të dy funksioneve publike. Për këtë arsye, ai vlerëson se vendimet e Qeverisë të marra një ditë më parë janë të kontestueshme si nga aspekti ligjor, ashtu edhe nga ai kushtetues.
Madje, ai paralajmëron gjithashtu se pasojat për zyrtarët që ushtrojnë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe atë të anëtarit të Qeverisë në detyrë mund të jenë jo vetëm kushtetuese dhe administrative, por potencialisht edhe penale, në rast se konstatohet keqpërdorim i detyrës zyrtare.
“Këto lloj vendimesh të kësaj qeverie bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës, për më tepër edhe bien ndesh me Ligjin për Qeverinë. Ashtu siç thotë Kushtetuta dhe ligjet në Kosovë, nuk lejohen të mbahen njëkohësisht funksionet e dyfishta të një zyrtari publik… Këto vendime që janë marrë dje janë të kontestueshme edhe ligjërisht dhe kushtetutshmërisht. Mendoj se për këtë lloj vendimmarrjeje pasojat mund të jenë jo vetëm kushtetuese dhe administrative, por edhe penale për ata zyrtarë publikë, të cilët njëkohësisht kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke ushtruar dy lloje të funksioneve, atë të deputetit dhe anëtarit të qeverisë në detyrë”, thekson ai.