
Me një vit burgim është dënuar ish ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal për deklaratën në të cilën kishte thënë se masakra e Reçakut ishte trillim. Gjykata e ka shpallur fajtor Todosijeviçin pasi është vërtetuar së i njëjti kishte nxitur urrejtjte, përçarje mes grupeve etnike në Republikën e Kosovës, raporton Gazeta10.
Raporti Gresa Bardhecaj
Kamera Tonin Fejza
Për deklaratën e dhënë tre vite më parë se masakra e Reçakut ishte trillim, ish ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal Ivan Todosijeviq është dënuar me një vit burgim.
Ky vendim është shpallur të mërkurën nga trupi gjykues i cili Todosijeviçin e ka shpallur fajtor për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos-durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik në Republikën e Kosovës.
Derisa u kumtua ky vendim, në sallë nuk ishte i pranishëm tashmë i dënuari Todosijeviç por vetëm avokati i tij.
Teksa në aktgjykim theksohet se derisa ishte në pozitën e ministrit, me qëllim ka nxitur urrejtje dhe përçarje, pasi i njëjti është shprehur se masakra e Reçakut ishte trillim nga terroristët shqiptarë të cilët i kanë kryer krimet më të mëdha në Kosovë, për të cilat askush nuk ka dhënë përgjegjësi.
Kurse i pakënaqur me këtë vendim është shprehur avokati i ish ministrit nga radhët e Listës Serbe.
Nuk jam aspak i kënaqur sepse Gjykata Themelore në Prishtinë po e bënë gabimin e njëjtë si herën e parë. Ndonëse herën e parë shqiptoi dënim prej 2 vjetësh e tani 1 vit. Jam i sigurt që kjo gjykatë nuk i di as ligjet. Si është e mundur që për të njëjtin rast në të cilin nuk ndryshoi asgjë të shqiptohen dy dënime me kaq dallim, do të thotë i dyti njëfish më i ulët. Natyrisht se do të paraqes ankesën. Afati është 15 ditë që nga marrja e vendimit në formë të shkruar. Andaj pres që edhe kjo të përfundoi sikurse herën e parë dhe ky vendim të anulohet.
Në vitin 2019 Todosijeviç ishte dënuar me dy vite burgim, mirëpo Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim./Gazeta10.