
Kryetari i Aleancës për Kosovën e Re, Begjet Pacolli, ish presidentët e Shqipërisë, , Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, si dhe ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko, kanë përfunduar vizitën e tyre në Hagë, ku kanë takuar krerët e UÇK-së, raporton Gazeta10.
Ish presidenti Moisiu ka thënë se ka dy vjet që ende nuk është formuluar akuza dhe se kjo dëshmon që ata janë në kërkim të një gjëje që nuk ekziston.
“Ne erdhëm për t’i takuar, për t’i inkurajuar miqtë dhe shokët tanë të cilët po bëjnë një burgim te padrejtë për mua dhe shokët e mijë, por kështu paska qenë shkruar kjo punë. Sigurisht me qëllimin kryesor per të treguar se ne mbështesim luftën e UÇK-së, lufta e shqiptarëve të Kosovës ka qenë një luftë për liri, pavarësi, drejtësi, për t’u shkëputur nga skllavëria serbe shekullore dhe sigurisht nuk ka qenë aspak lutë terroriste siç po përpiqen për ta kthyer, për ta argumentuar se qëllimi i saj ka qenë terrorizmi që nuk është aspak e vërtetë. Ne mendojmë që në fund drejtësia do të fitojë, do të dalë e drejta, taksirat e këtyre drejtuesve të UÇK-së të vuajnë, kanë dy vjet aty e nuk dihet sa do vazhdojë akoma, sepse kanë dy vjet dhe akoma nuk e kanë formuluar akuzën pra janë në kërkim, në kërkim të një gjëje që nuk ekziston sepse nuk kanë pasur asgjë me terrorizmin”, ka thënë Moisiu.
Ish-presidenti Rexhep Meidani ka thënë se kjo është një mbështetje jo vetëm për ta si individ por për gjithë luftën e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.
“Është një mbështetje, jo vetëm për udhëheqësit kryesorë të shtetit dhe pavarësimit të Kosovës por vizita jonë ishte edhe një mbështetje e luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kundër skllavërimit serb, ishte edhe një luftë e mbështetur nga gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe udhëheqësit kryesor botëror, në luftën jo vetëm për demokraci, por edhe luftën kundër pastrimit etnik dhe gjenocidit të ushtruar nga policia, ushtria dhe trupat paramilitare serbe, ka thënë Meidani.
Ish presidenti Bamir Topi, ka thënë se ata janë duke pritur me shumë gjakftohtësi dhe se ai është i bindur se drejtësia do të triumfojë ku ndër të tjera Millosheviqin e ka quajtur si arktitekt të luftrave në ballkan.
“Sot ata ndodhen këtu për fat të keq ende pa një formulim të akuzës. Gjendja e tyre psikologjike ishte e shëndoshë, pra njeriu ka kaluar situata të vështira të luftës, ndjehet moralisht krenar për atë që ka kaluar dhe natyrisht janë duke pritur me shumë gjakftohtësi. Natyrisht ne nuk interferojmë në çështje të drejtësisë por jemi të bindur qe drejtësia do të shkojë në vend, sepse duket si një histori sikur ka qenë histori e shekullit të kaluar por historia e asaj çka ka ndodhur në Kosovë është një histori e kohëve moderne, te mos e harrojmë atë largim masiv, atë gjenocid që u zhvillua nga arkitekti i luftës në Ballkan sikurse ishte Millosheviqi”, tha Topi.
Ish-kryeministri Pandeli Majko ka thënë se kjo nuk është dramë personale por kombëtare dhe se kjo është lufta e fundit e tyre.
“Mendojmë që kjo nuk është një dramë personale e atyre që janë në qelitë e këtij burgu, mendojmë që kjo është një dramë kombëtare dhe si e tillë ka praninë tonë këtu. U informuam qe dosja fillon me ngjarjet e vitit 1981 me Jusuf Gërvallën e njohur, në fakt duhet të fillonte me vrasjen e konsullit rus në Mitrovicë 1903, dhe mendoj se kjo që po na ndodh ka sjell një reflektim të jashtëzakonshëm, është lufta e fundit që drejtuesit e UCK-së duhet të bëhen, për ata qe janë gjallë dhe per ata që nuk janë” tha Majko.
Kjo vizitë është organizuar me iniciativën e Begjet Pacollit, ndërsa thirrjes së tij nuk i janë përgjigjur ish-krerët e shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga.
Pacolli ka thënë se këto akuza janë absurde. Tutje, Pacolli ka thënë se ata po e paguajnë çmimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Ne pamë edhe njëherë, edhe njëherë u binda që ky është çmimi të cilin ata janë duke paguar për atë që ne ekzistojmë si shtet i pavarur dhe pavarësinë tonë. Nuk ka akuza personale për askënd, janë akuza absurde, gjoja se një organizatë kriminale, e mu kjo ‘organizatë kriminale’ e ka bërë të mundur pavarësinë e Kosovës dhe lirinë që ne gëzojmë. Nëse kjo është akuza kryesore që duhet të paguhet, pra këta djem janë duke e paguar atë. E pash se janë të inkurajuar, nuk janë të lodhur, janë më mirë se kurrë dhe ata e dinë që nuk janë në këtë burg për një krim qe vërtetë quhet krim por janë për të paguar çmimin për këtë që e posedon Kosova, lirinë dhe pavarësinë”, ka thënë Pacolli. / Gazeta10