
Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë gjatë një qëndrimi të shkurtër në Prishtinë, James Rubin, përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit Rubin flet edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, themelues të së cilës po përballen aktualisht me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Rubin thotë se qëndrimi i SHBA-së për UÇK-në ka evoluar ndër vite.
Në ditët e para, kujton ai, SHBA-ja i ka dënuar “aktivitetet terroriste të kryera nga grupet shqiptare”, por me evoluimin e procesit të paqes, thotë se UÇK-ja është bërë qendër e atij procesi.
Ai ka thënë se UÇK-ja luajti një rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit të premtuar.
“Unë kam kujtime të dashura të punës me liderët e tyre. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ka ndodhur në atë kohë të luftës, është diçka që unë do ta mbështesja”, shton ai.
Gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve 1990, Rubin ka qenë ndihmëssekretar i Shtetit amerikan.
Kosova i ka ndarë në vitin 2013 Medaljen Presidenciale të Meritave për angazhimin e tij për çlirimin e Kosovës. /Gazeta10/