Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

“Izolimi i shtëpive”, thirrja cilësohet qesharake

Gazeta10
29 September 2022 - 19:39

Raporti: Saranda Alshiqi/Kanal10

Thirrjet e Qeverisë së Kosovës për kursimin e energjisë elektrike kanë vazhduar edhe gjatë së enjtes. Në mesin e tyre ka qenë edhe ajo për izolimin e shtëpive. E kjo po konsiderohet qesharake nga njohës të ekonomisë, derisa pronarë të kompanive që merren më izolimin e shtëpive thonë se çmimi është shtrenjtuar rreth 40%, shkruan Kanal10.

Që nga fillimi i krizës së energjisë elektrike, kanë qenë të shumta propozimet e Qeverisë së Kosovës për kursim të rrymës.

Fillimisht ishin ato për ndaljen e dritave, kur ato nuk duhen, për largimin e “gjëstikave” nga prizmi, e shumë të tjera.

E kur po paralajmërohet se dimri i sivjetmë do të jetë shumë më i rëndë, kanë ardhur masa e kërkesa të reja, siç janë edhe ato që dy persona të lahen së bashku.

Këto kërkesa e masa kanë zgjuar reagime të shumta, duke u bërë edhe virale në rrjetet sociale. 

Një prej kërkesave të ekzekutivit të vendit është edhe izolimi i shtëpive të qytetarëve, para se të ulen temperaturat.

Por, një gjë e tillë duket vështirë e realizueshme, pasi që çmimi që kërkohet në këso rastesh është i pakapshëm për qytetarët, të cilëve u është rënduar jeta edhe për t’i siguruar gjërat elementare, pas rritjes së çmimeve.

Fatlum Gashi, pronar i kompanisë që merret me izolimin e shtëpive, ka thënë se për ta bërë një gjë të tillë, çmimi shkon deri në shtatë mijë euro.

Por, pavarësisht çmimit, ai thotë se nëse shtëpia izolohet shpenzon më pak energji.

Një kërkesë të tillë të ekzekutivit të vendit, e kanë konsideruar si tepër qesharake, njohës të fushës së ekonomisë.

Haki Shatri nga AAK-ja ka thënë se qytetarët e Kosovës e kanë të pamundur që t’i izolojnë shtëpitë, për shkak se nuk kanë para për ta bërë një gjë të tillë.

Masat për energjinë si dhe thirrjet për kursim vijnë në kohën kur Kosova pritet të hyjë në sezonin e dimrit dhe përballjes me krizën e furnizimit me rrymë. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.