
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka vazhduar edhe të enjten qëndrimin pranë familjes së tij në shtëpinë në lagjen Velania të Prishtinës, pas kthimit nga Haga.
Krasniqi është kthyer në Kosovë të mërkurën, pasi Gjykata Speciale ia ka lejuar një vizitë familjare për arsye të forta humanitare, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi.
Ai ka arritur sërish në shtëpinë e tij gjatë orëve të paradites së së enjtes, duke shënuar kështu ditën e dytë të vizitës në Kosovë.
Edhe këtë herë, ish-kryetari i Kuvendit është shoqëruar nga automjetet e EULEX-it, nga objekti i këtij misioni në Fushë Kosovë deri në shtëpinë e tij në Velani. Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa lëvizjet e tij po zhvillohen nën masa të shtuara sigurie.
Gjendja shëndetësore e bashkëshortes së tij raportohet të jetë e rënduar. Vëllai i Krasniqit, Daut Krasniqi, ka deklaruar se gjendja e saj nuk është stabile, ndërsa ka bërë të ditur se ajo së fundmi kishte marrë trajtim mjekësor edhe në Turqi.
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar se vizita është autorizuar për arsye bindëse humanitare, duke bërë të ditur se vendimi është marrë nga trupi gjykues.
Sipas raportimeve të mediave, Krasniqi pritet të qëndrojë në Kosovë për katër ditë. Gjatë ditës ai kalon kohë me familjen në shtëpi, ndërsa gjatë natës kthehet në objektin e EULEX-it në Fushë Kosovë.
Kjo është vizita e dytë e Jakup Krasniqit në Kosovë që nga arrestimi i tij në nëntor të vitit 2020. Herën e parë, ai ishte kthyer në tetor të vitit 2024, pas vdekjes së vëllait të tij, Azem Krasniqi.
Ndërkaq, më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale e dënoi në shkallë të parë me 25 vjet burgim për krime lufte. Vendimi pritet të kundërshtohet nga mbrojtja në procedurën e apelit./Gazeta10