
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Shumë qytetarë të komunës së Rahovecit po vazhdojnë të përballen me vështirësi pas vërshimeve, të cilat shkaktuan dëme të mëdha nëpër shtëpi. Një familjes në këtë komunë i është bërë jeta edhe më e rëndë nga pamundësia e krijimit të kushteve për djalin e tyre të sëmurë. Drejtues të komunës së Rahovecit kanë thënë se ekipet emergjente po bëjnë përpjekje të ndihmojnë të gjitha familjet e prekura, derisa të dhënat për dëmet do t’i bëjnë të ditura javën që vjen, shkruan Kanal10.
Vërshimet e së shtunës jo vetëm që i lanë të pastrehë, por familjes Popaj nga Bellacërka e Rahovecit, iu shtua brenga edhe për djalin, i cili vuan nga sëmundja e zemrës.
Kryefamiljari, Hysen Popaj, thotë se në këto kushte, është e pamundur që djali i tij të jetojë, pasi atij i nevojitet ambient i pastër.
Ai thotë se në ndihmë u ka dalë vëllau, tek i cili kanë gjetur strehë momentalisht.
Popaj thotë se dëmet nga përmbytjet janë tejet të mëdha.
Ai i ka bërë thirrje komunës që ta ndihmoj në tejkalimin e kësaj situate.
Hallin e njëjtë e kanë edhe fqinjët.
E lodhur nga përmbysjet e kohëpaskohshme është edhe Mirela Popaj, e cila thotë se tanimë nuk kanë kah t’ia mbajnë.
Ndërsa, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se janë formuar komisionet për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për të vlerësuar shumën e dëmeve të shkaktuara.
Si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, shumë pjesë të Komunës së Gjakovës dhe të Rahovecit u përmbytën, duke shkaktuar dëme të mëdha në biznese, bujqësi dhe prona private. /Gazeta10