
Raporti: Hana Marteti
Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje po presin zhvillime pozitive gjatë këtij viti në procesin e dialogut me Serbinë. Ndonëse nga opozita thonë se ekzekutivi po zhvillon një dialog pa parime, nga LVV kanë deklaruar se për këtë vit kanë pritje më të mëdha për shkak të afatizimit të dialogut me planin franko-gjerman.
Zhvillime më pozitive po vlerësohet se mund të ketë gjatë vitit 2023 në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndonëse thuhet se viti 2022 u përmbyll pa ndonjë rezultat konkret në procesin e diskutimeve mes dy palëve, pritjet për këtë vit nga partia në pushtet janë më të larta, duke marrë parasysh afatizimin e dialogut në bazë të planit franko-gjerman.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka vendosur në tavolinën ndërmjetësuese nevojën për dialog të mirëfilltë politik për marrëveshjen finale me njohjen reciproke.
Mirëpo, nga opozita kanë ngritur kritika ndaj ekzekutivit, derisa kanë thënë se po zhvillohet një dialog pa parime.
Nga PDK kanë thënë se palët më shumë janë marrë me çështje teknike e jo me normalizim të marrëdhënieve.
Ndërkaq, Arbër Fetahu,nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Arbër Fetahu, ka thënë se të vetmen gjë pozitive që e ka parë në dialogun mes dy shteteve është plani franko-gjerman.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte takuar me presidentin serb, Aleksander Vuçiq në gusht dhe nëntor të vitit të kaluar.
Në takimin e fundit u tentua të gjendej një zgjidhje për vendimin për çështjen e targave ilegale, por që i njëjti përfundoi pa rezultat. / Kanal10