
Edward Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, ka thënë se Serbia është kërcënimi më i madh për Kosovën.
Sipas tij, ndikimi rus dhe serb mund të shqetësojë dhe minojë vazhdimisht sigurinë e Kosovës.
“Pra, cili është çelësi, rruga për ndikimin serb dhe ndikimin rus, që ajo rrugë të vijë dhe të shqetësojë dhe minojë Kosovën. Kjo rrugë ekziston kur ka probleme me serbët”, ka thënë Joseph në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Për këtë arsye, Joseph ka theksuar se integrimi i serbëve do të minimzojë ndikimin e Serbisë në Kosovë.
“Sa më shumë që serbët e Kosovës të integrohen në shoqërinë kosovare si qytetarë të plotë dhe të respektuar nga Qeveria, policia, institucionet shëndetësore dhe shkollat. Sa më shumë të integrohet serbët e Kosovës, aq më pak ndikim do të ketë Serbia”, ka thënë ai.
Në të kundërten, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare ka thënë se presidenti Vuçiq do të vazhdojë të ketë ndikim tek serbët e Kosovës.
“Presidenti Vuçiq dëshiron të ketë tensione në Kosovë. Sa më shumë tensione të ketë me serbët në Kosovë, aq më shumë ndikim ka ai, aq më shumë komuniteti serb është rreth një opsioni politik. Aq më shumë ai mund ta shfrytëzojë këtë kundër Kosovës”, ka thënë Joseph. /Gazeta10/