Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

“Ka tendencë për frikësim” – Anëtares së Bordit i ndalohet fjala kur flet për shkeljet nga drejtori i RTK-së

Gazeta10
20 February 2023 - 12:34

Po vazhdon mbledhja e Komisionit për Media në Kuvendin e Kosovës, ku po raporton menaxhmenti dhe bordi i RTK-së.

Në disa momente ka pasur edhe tensione. Anëtarja e bordit të RTK-së, Shukrie Rama, ka nisur të ofrojë detaje lidhur me disa shkelje nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ajo ka thënë se Ahmetxhekaj ka tendencë për frikësim, raporton Gazeta10.

“Tendenca për frikësim nga ana e drejtorit të përgjithshëm lidhur me problemet aktuale në RTK. Me datën 28 dhjetor 2022 kam drejtuar kërkesë me dokumente për qasje, kam kërkuar bashkëpunim që bashkërisht si trup kolegjial t’i dokumentojmë këto shkelje. Meqënëse ata nuk kanë shprehur interesim, evidentimi i shkeljeve është iniciativë personale e imja”, tha anëtarja e bordit të RTK-së.

Megjithatë, ajo nuk u lejua të vazhdojë më tutje me fjalën e saj. Këtë e nisi deputetja e VV-së, Arbëresha Kryeziu.

“Mendoj se duhet të jetë temë diskutimi në mbledhjet e bordit të RTK-së kjo, jo në Kuvend”, tha ajo.

Këtë e vazhdoi më pas kryetari i komisionit, Valon Ramadani.

“Nëse e ke mundësinë me lanë për mbledhjen e radhës. Tento edhe një herë me mbajt mbledhje të bordit ku i diskutoni atje”, tha Ramadani.

Për këtë reagoi deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

“Po më çudit si po tentoni t’ia ndalni fjalën”, tha ai.

Shukrie Rama në fund deklaroi se është nën presion, pasi nuk po i jepet fjala./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.