
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit e ka votuar Traktatin ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.
E ftuar për raportim në këtë Komision ishte Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila foli në lidhje me këtë marrëveshje, ku tha se nga kjo ujdi do të përfitojë vendi.
‘’Qëllimi i këtij traktati është rritja e bashkëpunimit me këtë shtet, përmes këtij traktati zhvillon edhe me tej sistemin korrektues në vend. Ky traktat përveç ekzekutimeve të ligjeve daneze, fuqizon standardet evropiane të sistemit korrektues. Duke marrë parasysh që Danimarka ka një bashkëpunim të mirë me Kosovën për këtë kemi vendosur që të nënshkruajmë këtë traktat”, tha ajo.
Ministrja tutje tha se nuk është obligim i Kosovës sepse burgu i Gjilanit do të menaxhohet nga Mbretëria e Danimarkës dhe se Kosova nuk e ka asnjë obligim në transferim.
“Nuk është obligimi i Kosovës sepse burgu i Gjilanit do të menaxhohet nga Mbretëria e Danimarkës, dhe Kosova nuk e ka asnjë obligim në transferim. Kosova, institucioni korrektues do ta lëshojë me qera për Danimarkë, arsye që e kam bërë këtë marrëveshje besoni është që Kosova të ketë afër vetës vendet mike. Kanë konsideruar që Kosova vlerësohet për reformat që ka marrë për trajtimin e të burgosurve. Marrëveshja është për 5 vite, janë dy marrëveshje, e para për sundim të ligjit nga kjo Kosova përfiton 15 milionë euro në vit, ndërsa sa i përket marrëveshjes së dytë që është nënshkruar për energjinë e gjelbër, janë 30 milionë euro. Stafi vendor do të paguhet sipas ligjeve të Kosovës”, tha Ministrja. /Gazeta10/