
Raporti: Saranda Alshiqi
Qeverisjen prej një dekade të Listës Serbe në komunat veriore të Kosovës, e ka kritikuar kandidatja e vetme serbe në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Zveçanit, Sllagjana Pantoviq.
Duke thënë se është koha për ndryshime, Pantoviq ka akuzuar partinë e Goran Rakiqit që sipas saj e ka shndërruar veriun si një Kore të Veriut ku serbët sipas saj kanë jetuar në terror.
Kandidatja për kryetare thotë se bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe komuniteteve të tjera, është i domosdoshëm dhe në të mirën e të gjithëve.
“Pas dhjetë viteve të udhëheqjes së Listës Serbe, këtij qyteti i duhet ndryshimi… Duhet ndryshim i madh, janë shumë të rinj të papunësuar, ka shumë raste sociale, mbretëron nepotizmi ku punësohen në baza familjare, shoqërore, kështu që këtë dua ta ndryshoj që në fillim, në bazë të asaj që është në mundësitë e mia. Më vonë, natyrisht në marrëveshje me kryeministrin dhe me përgjegjësit e pushtetit, do të punojmë në rregullimin e qytetit, infrastrukturë e të tjera, kështu që të gjitha ngadalë dhe me radhë do t’i bëjmë, por ndryshimet vërtetë janë të domosdoshme”, deklaroi Pantoviq.
Pantoviq, deklaroi se të gjithë serbët janë detyruar të zbatojnë urdhrat që vinin nga Lista Serbe, duke përfshirë edhe daljen në barrikada.
“Problemet kryesore të qytetarëve janë se ata kanë jetuar thjeshtë si në Korenë Veriore, sistem një partiak, nën terror. Do të thotë nëse presidenti thotë të gjithë në tubim, atëherë të gjithë duhet të dalin në tubim, të gjithë në barrikada, të gjithë në barrikada. Do të thotë njerëzit kanë qenë të detyruar, janë kërcënuar, kështu që mendoj se njerëzve duhet t’u japim lirinë e të shprehurit dhe të drejtat… Shpresoj se vetëdija njerëzore ka filluar të funksionojë pas dhjetë vite shtypjeje”, ka thënë Pantoviq.
Pantoviq theksoi se prezenca e Policisë së Kosovës në Zveçan ka ndikuar që situata të jetë me e qetë në pjesën veriore.
Ndërsa njohësi bullgar i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Anton Pançev, thotë se Kosova ka vepruar mirë që ka insistuar për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore më 23 prill, pavarësisht mospjesëmarrjes së Listës Serbe.
Ai ka deklaruar se nuk pret të ketë trazira të dielën në veri, megjithëse ekstremistë serbë mund të kenë skenar për destabilizimin e asaj pjese.
“Republika e Kosovës duhet të ndjek në mënyrë strikte ligjet e veta dhe gjithçka duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, jo sipas dëshirave politike, gjeopolitike dhe presioneve të jashtme. Vetëm kështu Kosova do të zhvillohet si një shtet sovran dhe krejtësisht i pavarur. Kosova nuk është dashur të bëjë lëshime në këtë drejtim”, thotë ai.
Zgjedhjet në veri të vendit pritet të mbahen të dielën e 23 prillit. Këto zgjedhje janë organizuar pas dorëheqjeve të kryetarëve të këtyre komunave në nëntor të vitit 2022. /Gazeta10/