Karim Benzema i ka dhënë fund aventurës së tij 14-vjeçare me skuadrën e Real Madridit.
Benzema të martën është përshëndetur me klubin me anë të një konference për shtyp në ambientet e ekipit madrilien.
Gjatë kësaj konference, francezi tha se kjo është një ditë e trishtë për të, teksa ka falenderuar stafin e klubit, bashkëlojtarët dhe tifozët që e kishin përkrahur gjatë kësaj kohe.
“Është vështirë të flas me kaq shumë emocione, por dua t’i falënderoj të gjithë në klub. Ishte një rrugëtim i mirë në jetën time dhe kam qenë me fat pasi kam realizuar ëndrrën për të luajtur për këtë klub të madh. Nuk do ta harroj kurrë Real Madridin. Në fakt, është e pamundur të harrohet klubi më i mirë në historinë e futbollit. Por, ka ardhur koha që të largohem dhe të krijojë një rrugë tjetër në karrierë. Kam dashur që karrierën ta mbylli te Reali, por nganjëherë jeta të ofron një rast të ri. Ishte vendim i vështirë, por e kam marrë së bashku me familjen time”.
Benzema ishte transferuar te Real Madridi në vitin 2009 nga Lyoni dhe gjatë 14 viteve ai fitoi plot 24 trofe me ekipin nga kryeqyteti spanjoll.
Si lojtar i “Los Blancos”, 35-vjeçari fitoi edhe Topin e Artë në vitin 2022.
Sulmuesi francez karrierën pritet ta vazhdojë te skuadra arabe, Al-Ittihad, aty ku do të përfitoi 200 milionë euro në sezon.