Ermal Krasniqi është futbollisti i radhës që lë Superligën e Kosovës për tu transferuar tek skuadra e Clujit në Rumani.
Krasniqi tregoi formë të lartë në stinorin e kaluar me skuadrën e Ballkanit e sidomos vendimtare për të ardhmen e tij ishte paraqitje në ndeshjet në garat ndërkombëtare.
Mirëpo kush është Ermal Krasniqi?
I lindur më 7 shtator në vitin 1998, Krasniqi e nisi karrierën e tij si një 16 vjeçar tek klubi i Feronikelit.
Paraqitjet e mira te skuadra nga Drenasi bënë që ai brenda një viti të transferohet në skuadrën e parë të Malishevës, skuadrës së vendlindjes së tij.
Asokohe, Malisheva ishte pjesë e Ligës së Parë të Kosovës dhe me Krasniqin në përbërje arriti të zë vendin e tretë në tabelë.
Paraqitjet e mira me skuadrën e Malishevës si dhe numri i madh i golave të shënuar, zgjuan vëmendjen e klubeve të Superligës të cilat filluan të interesohen për të.
Ishte Llapi skuadra që arriti ta rrëmbejë atë, mirëpo te llapjanët Krasniqi nuk qëndroi gjatë.
Ai u detyrua të largohet nga klubi i Tahir Batatinës pas një periudhe të shkurtët për shkak të hapësirës së vogël që i ishte ofruar.
Ferizaj, ishte skuadra e radhës për Krasniqin. Aty Ermali në 10 paraqitje saktësisht në 774 minuta arriti të realizoi 10 gola.
Krasniqi vazhdoi tutje karrierën duke ndryshuar sërish ambient. 24 vjeçarin në vitin 2019 u transferua te Ballkani i Suharekës, aty ku Krasniqi arriti të shkruaj historinë.
Që nga stinori 2019/2020 Krasniqi me Ballkanin bëri gjithsej 105 paraqitje, duke realizuar 39 gola e dhuruar 17 asistime.
Padyshim ajka e suksesit të Krasniqit ishte stinorin 2021/22 ku edhe arriti të shpallet kampion për herë të parë si futbollist.
Pas shpalljes Kampion, Krasniqin së bashku me skuadrën e tij e priste aventura evropiane.
Duke filluar nga kualifikimet për në Ligën e Kampionëve, Ligën e Europës e Ligën e Konferencës aty ku edhe u arrit synimi, pasi që Ballkani u bë pjesë e grupeve të këtij kompeticioni, Krasniqi në 13 paraqitje shënoi 4 gola dhe dhuroi gjithashtu numrin e njëjtë të asistimeve.
Krasniqi ishte padyshim futbollist i vlerësuar edhe nga trajnerët e tij, duke filluar nga Bylbyl Sokli te Ferizaj, Ismet Munishi te Ballkani e së fundmi Ilir Daja.
Menjëherë pas përfundimit të aventurës evropiane të Ballkanit, interesimi për futbollistin ishte shtuar, e sidomos nga klubet evropiane.
Më 29 gusht të viti 2020, Krasniqi pranoi ftesën nga Kosova U21 për ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian kundër Anglisë. Krasniqi bëri debutimin e tij pasi hyri si zëvendësues në këtë ndeshje në vend të Valmir Veliut.
Përpos Kosovës u21, edhe kombëtarja A e ftoi 24 vjeçarin nga Malisheva.
Ftesa për Krasniqin erdhi më 11 nëntor të vitit që lamë pas, derisa debutimi i tij me Kosovën ndodhi tetë ditë më vonë në një ndeshje miqësore kundër Ishujve Faroe.
Si duket me dëshirën e vet futbollistit, menaxherit si dhe drejtuesve të klubit të Suharekës, Krasniqi karrierën do ta vazhdojë te Cluji në Rumani.
Shitja e Krasniqit raportohet se është kompletuar fillimisht për 200 mijë euro.Kjo vlerë rritet edhe për 100 mijë euro të tjera, nëse klubi rumun arrin të kualifikohet në Ligën e Kampionëve ose atë të Evropës. Po ashtu, Ballkani do të ketë edhe 15 për qind të ardhura nga shitja në të ardhmen e 24 vjeçarit.
Duke parë nivelin e futbollistit, të gjithë presim që kjo aventurë e Krasniqit në Rumani të mos zgjasë shumë, e atë ta shohim si pjesë e një prej klubeve më të mëdha evropiane./Gazeta10/Lorik G./