Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Katër vjet burgim Nehar Sadikut, shkaktoi aksident trafiku me një të vdekur dhe katër të lënduar

Gazeta10
17 September 2026 - 15:27

Gjykata Themelore në Mitrovicë e dënoi me katër vjet burgim Nehar Sadikun, i akuzuar për shkaktimin e aksidentit fatal në fshatin Studime të Vushtrrisë, ku më 23 korrik kishte humbur jetën një grua dhe ishin lënduar katër persona.

Aktgjykimi e shpalli të enjten gjyqtari Leotrim Gashi.

Sadiku u shpall fajtor për veprën penale “Ngasje në gjendje të paaftë”, ndërsa dënimi prej katër vitesh burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykata i ka shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i marrjes së lejes së vozitjes për kategorinë B, në periudhën prej dy (2) viteve, i cili dënim do të ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Gjatë seancës Sadiku konfirmoi se mbetet prapa marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, ndërsa nga Gjykata kërkoi që paraburgimi t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

“I kërkoj falje palës së dëmtuar për dëmet që i kam bërë. Kisha dashur mundësisht të më lëshoni me arrest shtëpiak. Nënën e kam me aftësi të kufizuara. Mendoj që ajo e ka shumë rëndë në këtë aspekt”, tha i pandehuri.
Avokati i tij, Leart Muli kërkoi që Gjykata të marrë parasysh si rrethanë lehtësuese faktin që Sadiku nuk ka qenë i dënuar më parë për ndonjë vepër penale.

Avokati po ashtu kërkoi që të merren parasysh pranimi i fajësisë, gjendja ekonomike e familjes dhe gjendja shëndetësore e nënës së të pandehurit.

“Si rrethanë lehtësuese i propozoj Gjykatës që të marrë parasysh pranimin e fajësisë, që tregon reflektim personal mbi veprimet e tij. Të ketë parasysh që i mbrojturi im nuk ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale. I mbrojturi im është fëmija i vetëm i familjes, i lindur pas 12 vjetësh martesë. Babai i tij është në pension, ndërsa gjëja më e rëndësishme është gjendja shëndetësore e nënës së tij”, tha Muli.

Prokurorja e rastit, Albana Parduzi, tha se gjatë procedurës është marrë parasysh edhe fakti që Sadiku nuk ka qenë i dënuar më parë.
Ndërkaq, avokati i të dëmtuarve, Valdet Kadriu, nuk e kundërshtoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë, por kërkoi që të shqyrtohet edhe çështja pasurore-juridike, duke theksuar se të dëmtuarit ende janë duke u rehabilituar nga pasojat e aksidentit.

Aksidenti fatal kishte ndodhur më 23 korrik 2026, në fshatin Studime të Vushtrrisë, ku një grua kishte humbur jetën dhe katër persona të tjerë ishin lënduar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, kishte kaluar në shiritin e kundërt të rrugës dhe ishte përplasur me një automjet tjetër.

Si pasojë e aksidentit, shoferi dhe tre pasagjerë kishin pësuar lëndime serioze dhe kishin marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

I pandehuri kishte qëndruar një muaj në paraburgim, masë kjo e caktuar nga Gjykata.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.