Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Këto janë vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen elektronike

Gazeta10
06 November 2026 - 20:18

Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, si dhe dy nisma për lidhjen e marrëveshjeve financiare me institucione ndërkombëtare.

Sipas njoftimit të Zyrës për Media të Qeverisë, Projektligji për Rregullatorin e Energjisë përcakton kompetencat, detyrat dhe funksionet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), përfshirë statusin, organizimin e brendshëm dhe financimin e saj.

Projektligji parasheh gjithashtu monitorimin e funksionimit të tregjeve të energjisë, dhënien e lejeve dhe certifikimin në këtë sektor, miratimin e tarifave dhe metodologjive tarifore, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit përkatës.

Në këtë mbledhje, ekzekutivi miratoi edhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Kosovës, Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, të cilat veprojnë së bashku si administratorë të Komisionit Evropian. Marrëveshja ka të bëjë me Projektin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Po ashtu, u miratua nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit të ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.