Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

KFOR-i nis stërvitjet për reagim ndaj krizave, testime me makineri të rënda e helikopterë

Gazeta10
18 December 2022 - 11:58

KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka njoftuar se ditët në vijim do t’i nisë stërvitjet ushtarake pranë bazës në Novosellë pasi që synon të përgatitet për të reaguar ndaj krizave.

Sipas komunikatës së lëshuar, në këto stërvitje do të përdoren automjete të rënda ushtarake dhe helikopterë.

 “Stërvitja synon t’i trajnojë njësitë e KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes në një situatë reagimi ndaj krizave dhe do të konsistojë në një seri simulimesh taktike dhe aktivitete logjistike duke përdorur kolona ushtarake me automjete të rënda inxhinierike dhe helikopterë”, thuhet në njoftim.

Përmes ushtrimeve të rregullta, KFOR-i thotë se “teston të gjitha aftësitë e tij dhe ruan nivelin e nevojshëm të gatishmërisë operacionale të nevojshme për ta vazhduar përmbushjen e detyrave”.

“KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në fund të komunikatës.

Ditët e fundit KFOR-i ka marrë edhe një kërkesë nga Serbia për të lejuar dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Nga KFOR-i lidhur me këtë kërkesë thanë se janë duke e shqyrtuar këtë.

Kryeministri Albin Kurti vazhdon ta presë KFOR-in që t’i heqë shpejt barrikadat e vendosura të shtunën e javës së kaluar, të cilat i bllokuan rrugët kryesore që çojnë për në dy pikat kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Të dielën e javës që shkoi, Kurti tha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare se i ka kërkuar misionit të NATO-s në Kosovë që ta garantojë lëvizjen e lirë në veri./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.