
Delegacioni i klerikëve fetarë nga Kosova kanë vizituar krerët e UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerët, të cilët po mbahen në paraburgim, raporton Gazeta10.
Naim Ternava, kryetar i Bashkësisë Islame në Kosovë, tha për KosovaPress, se gjendja shëndetësore e krerëve të UÇK-së është e mirë.
Sipas tij, krerët e UÇK-së do ta kalojnë ballafaqimin me gjykatën e drejtësisë dhe do të kthehen në Kosovë si të pafajshëm.
“Sot jam më se i gëzuar që pata rasti që bashkë me ipeshkvin e Kosovës, bashkërisht t’i takojmë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke filluar te vet presidenti e tutje. Patëm rastin që të bisedojmë me ata. Gjendja e tyre shëndetësore ishte jashtëzakonisht e mirë dhe besojmë se edhe këtë ballafaqim me gjykatën e drejtësisë, këtu në Hagë do ta kalojnë dhe do të kthehen sa më shpejtë në Kosovë si të pafajshëm”, tha ai.
Ipeshkvi Dodë Gjergji ka thënë se është i kënaqur që ka pasur mundësi ta bëjë këtë vepër të mëshirshme.
“Po ashtu jam i kënaqur që sot kisha mundësi të bëjë një vepër të mëshirshme, për të vizituar njerëzit që iu mungon mundësia e lirisë. Urojmë që të kthehen sa më shpejtë në shtëpi”, tha ai.
Të dy drejtuesit fetarë dhanë edhe mesazhin e bashkimit, pamarrë parasysh përkatësisë fetare.
Dodë Gjergji ka thënë se duhet lënë anësh ndasitë.
“Cilado ndasi që mund t’i kenë të mund të jenë të bashkuar dhe të gjejnë rrugën e përbashkët për ta quar jetën, vendin dhe familjen para”, tha ai.
Ternava ka thënë se klerikët fetarë janë të bashkuar ashtu siç kanë qenë gjithmonë.
“Është simbolik që kombi shqiptar trashëgon me shekuj. Ne kemi qenë dhe jemi së bashku për çdogjë që ka nevojë vendi ynë, vatani ynë, ardhmëria e popullit tonë. Ne edhe pse kemi besime të ndryshme, ne jemi vëllezër nga gjaku dhe gjuha. Këtë vëllazëri duhet ta ruajmë, kultivojmë edhe tek gjenerata e re. Sigurisht kur jemi bashkë jemi më të fortë do t’ia dalim më lehtë në çfarë do sfide që mund të ballafaqohemi gjatë rrugëtimit tonë”, ka shtuar Terrnava.
Pjesë e kësaj vizite ishte edhe pastori i Kishës Protestante të Kosovës, Artur Krasniqi. Kp /Gazeta10.