
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të marrë pjesë në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gaza.
Marrëveshja e Participimit për pjesëmarrjen e FSK-së në këtë mision u nënshkrua në Prishtinë, në kuadër të vizitës zyrtare të Komandantit të ISF-së për Gazën, Gjeneral Major Jasper Jeffers, dhe stafit të tij.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përfaqësues të Bordit të Paqes, si dhe Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Sipas njoftimit, Gjeneral Major Jeffers e vlerësoi vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar. Ai theksoi rëndësinë e kontributit të FSK-së në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.
Jeffers shprehu gjithashtu mirënjohje për udhëheqjen e Kosovës dhe përkushtimin e institucioneve të vendit në mbështetje të misionit.
Ndërkaq, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, tha se pjesëmarrja e FSK-së në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të dhënë kontribut konkret në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.
Sipas tij, FSK-ja synon të rrisë vazhdimisht kontributin e saj në sigurinë ndërkombëtare, me objektiv strategjik që Kosova të kalojë nga një importuese e sigurisë në një eksportuese të saj.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Participimit vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet./Gazeta10