
Mbetje mortore me interes mjeko-ligjor janë gjetur dhe zhvarrosur gjatë gërmimeve vlerësuese të realizuara në varrezat e qytetit të Mitrovicës së Veriut, në lokacionin e njohur si “Varrezat e besimtarëve myslimanë”.
Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, gërmimet janë realizuar më 27 tetor 2026, në kuadër të përpjekjeve për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Aktivitetet janë mbështetur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Drejtoria e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ndërsa në terren kanë qenë të angazhuara ekipet mjeko-ligjore të Institutit për Mjekësi Ligjore, përfshirë edhe ekspertët e EULEX-it.
Gërmimet e fundit janë vazhdimësi e aktiviteteve vlerësuese të nisura në këtë lokacion më 20 tetor 2026. Ato janë realizuar në zbatim të një urdhri gjyqësor, pas kërkesës së Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, përmes Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte.
Komisioni ka bërë të ditur se mbetjet mortore të gjetura janë dërguar në Institutin për Mjekësi Ligjore, ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme, përfshirë analizat e ADN-së, me qëllim të përcaktimit të identitetit.
Deri në përfundimin e ekzaminimeve mjeko-ligjore, nuk është konfirmuar identiteti i mbetjeve mortore dhe nëse ato u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka ritheksuar përkushtimin për trajtimin me prioritet të çdo informacioni që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.