
Komuna e Prishtinës ndan mirënjohje për 75 mësimdhënës që do të pensionohen këtë vit
Me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit, komuna e Prishtinë ka ndarë mirënjohje për 75 mësimdhënësit, të cilët do të pensionen deri në fund të vitit 2023. Kontributi i këtyre mësimdhënësve u vlerësua lartë sidomos për sakrificën për të mbajtur gjallë shkollën shqipe në kohën e okupimit serb.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se mësuesit dhe të gjithë punonjësit tjerë arsimorë që do të pensionohen këtë vit meritojnë mirënjohje kolektive për përkushtimin e tyre të palodhshëm.
“Sot jemi mbledhur këtu në ditën e mësuesit, sepse ju njerëzit e arsimit, mësimdhënës dhe punonjës administrativ dhe teknik ju që dilni në pension sivjet meriton më të paktën mirënjohjen tonë kolektive për përkushtimin tuaj të palodhshëm jetësor. Me qenë mësues nuk është vetëm një profesion është mënyrë jete, sepse është profesioni që krijon të gjitha profesionet tjera…Pajisin nxënësit me aftësitë e nevojshme për tu përshtatur me një botë që po ndryshon me shpejtësi qoftë në fushën e shkencës, teknologjisë dhe artit, ndikimi i mësuesve shkon gjithmonë përtej klasës”, u shpreh Rama.
Rama kujtoi që mësimdhënësit që gjatë këtij viti do të pensionohen kanë dhënë kontribut të madh në mbajtjen gjallë të sistemit arsimor në kohën e okupimit serb.
Prandaj, vlerësoi se prapa vetes këta mësues po lënë trashëgimi të qëndrueshme.
Drejtori i gjimnazit “Eqrem Çabej”, Shemsedin Beqiri shprehu mirënjohje për të gjithë mësimdhënësit, të cilët kontribuuan që shkollat shqipe të mbijetojnë edhe në kohë të vështira.
Beqiri u shpreh se tani mësimdhënësit kanë kushte më të mira për të ofruar dije për nxënësit.
“Për të nderuar kontributin e gjithë mësimdhënësve tanë fal punës së të cilëve ne sot jemi ku jemi, sepse shkolla shqipe mbijetoi gjithë dhunës serbe ndër shekuj fal këmbëngulësisë dhe sakrificës të pashoq të mësuesve tanë. Ndjehem shumë i kënaqur që jam pjesë e këtij kontributit për vitet më të vështira,sepse për ne mësuesit ishte çdo kohë çdo periudhë një sfidë në vete”, tha ai.