Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rutte dhe ambasadori amerikan në NATO vizitojnë Shtabin e Gardës Kombëtare në Iowa, falënderojnë trupat për shërbimin në Kosovë

Gazeta10
23 September 2026 - 18:22

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka vizituar shtetin amerikan të Ajovës, ku është takuar me guvernatoren Kim Reynolds dhe ka zhvilluar aktivitete me përfaqësues të institucioneve dhe forcave ushtarake amerikane.

Gjatë vizitës, të martën, Rutte dhe ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, janë takuar me guvernatoren Reynolds. Më pas, ata kanë marrë pjesë në një diskutim të organizuar në Des Moines nga Chicago Council on Global Affairs, ku është diskutuar për NATO-n dhe marrëdhëniet transatlantike.

Rutte ka theksuar lidhjet e ngushta mes NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar historinë dhe vlerat e përbashkëta.

“NATO-ja mund të duket larg nga zemra e Amerikës. Por më besoni, të dyja janë të lidhura pazgjidhshmërisht – nga historia dhe vlerat e përbashkëta”, ka deklaruar Rutte.

Të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe ambasadori Whitaker kanë vizituar Shtabin e Përbashkët të Forcave të Gardës Kombëtare të Ajovës në Camp Dodge.

Gjatë takimit me gjeneralmajorin Stephen Osborn, ata kanë vlerësuar trupat e Ajovës për shërbimin e tyre dhe kontributin në stërvitjet dhe misionet e NATO-s, me theks të veçantë në misionin e KFOR-it në Kosovë.

Në kuadër të vizitës, Rutte ka theksuar gjithashtu rëndësinë e Aleancës për Shtetet e Bashkuara dhe nevojën për forcimin e industrisë së mbrojtjes.

Pas përfundimit të vizitës në Ajova, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është nisur drejt Nju Jorkut, ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.