Raportimi i një dite më herët i Gazeta 10 se “Albin Kurti ka nënshkruar marrëveshjet ku Kosova figuron me fusnotë” është konfirmuar edhe zyrtarisht.
Këshilltari i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj ka thënë për “Desku-n” se “kjo është pjesë e pajtimit të mëhershëm”.
“Asterisku është në marrëveshjen kur i referohemi shteteve, mirëpo është pjesë e pajtimit që është bërë më herët në kontekstin e bashkëpunimit rajonal. Është e vetmja shenjë që e kemi trashëgimi në këtë proces të bashkëpunimit rajonal. Pjesa tjetër është me qytetarë, legjislacion të secilës palë”, ka thënë Zulfaj.
Megjithatë, sipas Zulfajt, tri marrëveshjet e nënshkruara të enjten i konsiderojnë të gjitha shtetet si të barabarta.
“Kemi insistuar që dokumentet që lëshohen të jenë legjislacionet në fuqi të secilit shtet. Pra secila palë e ka legjislacionin e saj. Diplomat janë të Republikës së Kosovës, letërnjoftimet janë të Republikës së Kosovës. Ky ishte problemi fillestar, që mund të ketë qasje më ndryshe ndaj Kosovës por s’e kemi pranuar”, ka thënë ai duke shtuar se të gjitha telashet janë tejkaluar “duke u pranuar parimi i barazisë”.
Në Berlin dje janë nënshkruar tri marrëveshje që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave dhe kualifikimeve profesionale./Gazeta10