Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Konflikti për pronën në Gjakovë, dyshohet se vëllai qëlloi me AK-47 vëllain dhe kushëririn

Gazeta10
12 November 2026 - 11:44

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar 30 ditë paraburgim ndaj një personi që dyshohet se tentoi ta vriste vëllain e tij pas një mosmarrëveshjeje pronësore.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri S.L. dyshohet se më 10 tetor 2026, rreth orës 16:30, në fshatin Pjetërshan të Gjakovës, ka shtënë 4 herë me armë automatike AK-47, duke tentuar ta privonte nga jeta vëllain e tij, H.L., dhe duke rrezikuar jetën e kushëririt, P.L.

“Ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri me inicialet S.L. më datë 10 tetor 2026 në ora 16:30 në fshatin Pjetërshan – Komuna e Gjakovës, pas një mosmarrëveshjeje pronësore, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta vëllain e tij H.L. si dhe ka rrezikuar jetën e kushëririt të tij P.L. duke shtënë katër herë me armë zjarri të tipit AK-47”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Si pasojë e të shtënave, të 2 personat kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë.

Prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri dyshohet edhe për posedim të paautorizuar të armëve, përkatësisht të një arme automatike AK-47, një pushke gjuetie, 10 fishekëve të kalibrit 12 dhe një fisheku të kalibrit 7.62 mm.

Ndaj S.L. është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kërkesa për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë, e cila pritet të vendosë për masën e sigurisë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.