Gazeta10

Konjufca: Zvicra është më shumë se sa një shtet mik dhe aleat për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, i cili po qëndron në Kosovë në krye të një delegacioni parlamentar zviceran.

“Në takimin e përzemërt u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, arritjet e saj dhe sfidat që ka para vetes, për bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy parlamenteve dhe për mundësitë e avancimit të mëtejmë të tij nëpërmjet programeve të veçanta”, thuhet në njoftim.

Kryetari Konjufca falënderoi Presidentin Nussbaumer dhe shtetin zviceran për mbështetjen ndaj Kosovës në objektivat e saj për të forcuar sovranitetin shtetëror dhe sundimin e ligjit, si dhe në përcaktimin për të ndjekur rrugën e integrimit evropian, përfshirë së fundmi mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kryetari Konjufca tha se kontributi i Zvicrës në Kosovë është i hershëm dhe përfshin pothuajse të gjitha segmentet, prej atij në garantimin e paqes dhe sigurisë, nëpërmjet pjesëmarrjes në trupat e KFOR-it, deri te mbështetja financiare nëpërmjet qindra projekteve me të cilat është ndihmuar zhvillimi i Kosovës.

“Për Kosovën, Zvicra është më shumë se sa një shtet mik dhe aleat. Për shumë shqiptarë të Kosovës, Zvicra është një atdhe i dytë, të cilët të përndjekur nga sistemi i ish-Jugosllavisë dhe Serbisë gjetën tek Zvicra jo vetëm strehim politik e mbështetje socio-ekonomike për familjet e tyre, por një vatër nga ku punuan dhe kontribuuan për çlirimin e Kosovës”, tha kryetari Konjufca.

Në takim gjithashtu u diskutua për bashkëpunimin në mes dy vendeve, me theks të veçantë për sigurinë e Kosovës dhe për rreziqet me të cilat po përballet ajo, për shkak të qasjes destruktive të Serbisë ndaj Kosovës dhe afërsisë së saj me Rusinë.

“Shpreha shqetësimin tim se nëse Serbia do të lihet e pandëshkuar për agresionin terrorist në Bajnskë në shtator të vitit të kaluar, ajo ka për ta përsëritur këtë skenar, por tani në përmasa shumë më të mëdha”, tha kryetari Konjufca në konferencën e përbashkët për media pas takimit, duke shtuar se Serbia duhet të shihet jo vetëm si një rrezik për Kosovën, por për krejt stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer tha se me kryetarin Konjufca patën një takim të frytshëm, në të cilin janë diskutuar marrëdhëniet në mes dy shteteve, përfshirë edhe bashkëpunimet ndërmjet dy parlamenteve.

“Zvicra është gjithnjë mbështetëse e Kosovës dhe është njëra ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e saj. Ne do ta mbështesim Kosovën në qeverisje të mirë, në sigurimin e paqes, zhvillimin ekonomik, shëndetësi etj. Ky angazhim është dëshmi se jemi të interesuar për zhvillimin e Kosovës”, tha Nussbaumer.

Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës theksoi se Zvicra do të vazhdojë praninë e saj ushtarake me 200 pjesëtarë në kuadër të KFOR-it. Po ashtu, ai tha se duhet angazhim për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që garanton paqen dhe sigurinë në rajon.

NË FOKUS

askk
Ky është numri i banorëve për secilën komunë të Kosovës
riu
Në lulen e rinisë/ I riu 24 vjeç u vra pas debatit për muzikën e lartë
vdess
Vdes aktori i njohur në moshën 46 vjeçare, dyshohet se shkaktar ishte nxehtësia
drita
Vdes aktorja e humorit Drita Duraku
faton
“Më është bërë zullum”- Faton Hajrizi shfaqet me një video, tregon arsyen e arratisjes nga burgu i Smrekonicës
faton
Faton Hajrizi lajmërohet sërish nga arratia, Sveçlës ia shan mbiemrin dhe i vë bast: Kurrë nuk mundesh me më kapë
ylli
Zbulohet vajza misterioze në krah të Ylli Limanit
vd
Vdes e reja nga Prishtina, vuante nga një sëmundje e rëndë