
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Diskutimet jozyrtare që mjekëve t’iu vendosen çipa, në mënyrë që t’iu kontrollohet orari i punës, opozita dhe njohësit e shëndetësisë i kanë quajtur banale dhe denigruese. Sipas tyre, qeveria në vend të kësaj do tw duhej të merrej me përmirësimin e kushteve dhe rritjes së pagave për mjekët. Ndërkaq, nga Qeveria nuk kanë pranuar të japin shpjegime për propozimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, shkruan Kanal10.
Dyshimet për keqpërdorim të orarit të punës nga punëtorët shëndetësor, ka bërë që Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi të shqyrtojë marrjen e masave.
Kjo është propozuar në mbledhjen e dytë të këtij komisioni, ku është thënë ndër të tjera se çdo orë kur mungon një mjek gjatë orarit të punës është kërcënim ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Kanal10 ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Zyra e Kryeministrit Kurti që udhëheq me këtë komision, por që kanë thënë se të gjitha detajet janë theksuar në komunikatën pas takimit të së hënës.
Televizioni ka kontaktuar me kryetaren e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, për të parë se si do të rregullohet çështja e orarit të punës për mjekët, por ajo nuk ka pranuar të jap ndonjë qëndrim.
E diskutimet jozyrtare për vendosjen e çipave, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i ka quajtur absurde dhe amatore.
Deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj, ka thënë se mjekët janë ata që më së shumti e respektojnë orarin e punës dhe se me metoda të tilla nuk mund të menaxhohet më mirë shëndetësia, derisa e ka kritikuar punën e këtij komisioni.
Nga Oda e Mjekëve, propozimin për kontrollimin e orarit të mjekëve e kanë parë si denigrim të profesionistëve të këtij sektori.
Në mbledhjen e dytë të këtij komisioni është vendosur që në javën e ardhshme të nënshkruhet Udhëzimi Administrativ për Licencimin e profesionistëve shëndetësor të huaj, me qëllim qe sipas tyre të plotësohen nevojat e pacientëve në institucione publike shëndetësore./Gazeta10