
Drejtori i Institutit për Paqe dhe Siguri, Burim Korça, ka deklaruar se pret që aktgjykimi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të jetë lirues, por shprehet skeptik se shtyrja e vendimit mund të lidhet me përpjekjet e Gjykatës Speciale për të arsyetuar punën dhe shpenzimet e deritanishme.
Në emisionin “Politiko”, Korça tha se, sipas vlerësimit të tij, procesi në Dhomat e Specializuara ka karakter politik dhe nuk lidhet vetëm me individët që po gjykohen, por prek edhe luftën çlirimtare të Kosovës.
“Shpresoj që aktgjykimi i fundit të jetë lirues, sepse kjo nuk ka të bëjë vetëm me individët që gjenden në paraburgim, por edhe me luftën e pastër çlirimtare për liri”, deklaroi Korça.
Ai shtoi se shtyrja e vendimit ngre pikëpyetje për arsyet e vonesës, duke theksuar se, sipas tij, dëshmitë e paraqitura gjatë procesit janë kundërshtuar nga mbrojtja.
“Pak jam skeptik në këtë drejtim, sepse po frikësohem që, për t’i arsyetuar të gjitha harxhimet dhe procesin shumëvjeçar, mund të ketë edhe një aktgjykim dënues për ndonjërin nga ish-krerët”, u shpreh Korça.