
Kosova është anëtarësuar në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës.
Nëpërmjet një komunikate, MPJD-ja ka njoftuar se ICMP-ja është organizatë ndër-qeveritare me bazë në Hagë të Holandës, e themeluar në vitin 1996, që adreson çështjen e personave të zhdukur në rrethana të konflikteve të armatosura, shkeljes së të drejtave të njeriut, fatkeqësive natyrore, krimit të organizuar, migrimit ilegal, e të tjera.
Ky Komision është organizata e vetme ndërkombëtare e ngarkuar direkt për të punuar mbi çështjen e personave të zhdukur.
“Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ka qenë i angazhuar intensivisht edhe në Kosovë, përgjatë dhe pas luftës së fundit, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme në procesin e identifikimit e mbetjeve mortore përmes përdorimit të metodave shkencore të identifikimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare është prononcuar edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai tha se kjo qendër do të ofrojë drejtësi për familjet e personave që janë zhdukur me forcë nga gjenocidi serb.
“Sot u anëtarësuam në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, me qendër në Hagë. Anëtarësimi ynë do të na ndihmojë të sigurojmë drejtësi për të madhe për mijëra kosovarë të zhdukur me forca gjatë gjenocidit të kryer nga Serbia dhe për familjet e tyre”, shkroi Kurti.
Ai gjatë ditës ka bërë me dije se ky Komision është organizata e vetme ndërkombëtare, e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar mbi çështjen e personave të zhdukur.
“Sot, derisa përkujtojmë Masakrën e Rahovecit, nga e cila ende i kemi 11 persona të zhdukur, përkujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhduken me forcë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera gjatë luftës”, thuhet në statusin e Kurtit në Facebook.