
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Të enjten, është mbajtur samiti i parë i Komunitetit Politik Evropian në Pragë, derisa pjesë e saj ishin edhe Kosova, Shqipëria dhe disa vende tjera që nuk janë anëtare të BE-së. Në samit u diskutua për sigurinë e rajonit, krizën ekonomike e energjetike. E para e vendit, tha se përmes kësaj platforme mund të dëgjohet zëri i të gjithëve, shkruan Kanal10.
Dita e enjte i bashkoi një numër shtetesh të Bashkimit Evropian në Pragë, përfshirë edhe ato që nuk janë anëtare.
Pjesë e këtij samiti të parë të Komunitetit Politik Evropian në kryeqendrën çeke, ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Para samitit, ajo foli për rëndësinë e këtij takimi, duke thënë se përmes kësaj platforme mund të dëgjohet zëri i të gjitha shteteve.
“Duke qenë këtu në këtë ditë të rëndësishme për kontinentin evropian, unë jam këtu në emër të Republikës së Kosovës për të përfaqësuar vendin tim në këtë platformë të re, të rëndësishme, ku secili prej nesh në baza të barabarta do të ketë mundësinë që zëri ynë të dëgjohet, si dhe të sjell ide dhe të marrë pjesë në veprim kur bëhet fjalë për sfidat e përbashkëta me të cilat po përballemi, si dhe veprimet që do të ndërmarrim kur bëhet fjalë për përballimin e këtyre sfidave.”, tha Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës.
Samitin e Pragës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e quajti si rilindje për gjithë Evropën.
Ai tha se ndonëse Shqipëria nuk është anëtare e BE-së, është e rëndësishme të jenë në të njëjtën linjë me të.
“Sigurisht, nuk është një ide e re, është një ide shumë e vjetër, por rilind kur ka kohë krize dhe shpresoj se nuk do të ketë nevojë për një krizë tjetër për të pasur një tjetër takim të tillë. Por nga ky takim ne do të vazhdojmë dhe do të ndërtojmë diçka shumë të rëndësishme për të gjithë komunitetin e madh evropian të vendeve dhe njerëzve.”, tha Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë.
Ndërsa, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se në Pragë po krijohet një rend i ri, pa Rusinë.
“Në takim do të bëhen përpjekje për të krijuar një rend të ri pa Rusinë. Kjo nuk do të thotë se ne duam ta përjashtojmë Rusinë përgjithmonë, por kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend”, tha Josep Borell- Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme
Komuniteti Politik Evropian është një iniciativë e presidentit francez, Emanuel Macron, ku përveç 27 vendeve të Bashkimit Evropian, po marrin pjesë edhe 17 vende të tjera të Evropës.
Gjatë këtij samiti, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka zhvilluar takime edhe me liderë të shumë shteteve pjesëmarrëse. /Gazeta10