
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Masat për kursim të energjisë të prezantuara të mërkurën nga Ministria e Ekonomisë, po shihen të pamjaftueshme për të përballuar situatën me të cilën pritet të sfidohet gjatë dimrit. Njohës të ekonomisë dhe ata të energjisë, i kanë bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa ndihmëse për sektorin privat, duke mos përjashtuar edhe subvencionimin e energjisë, shkruan Kanal10.
Ndryshe nga vendet fqinje që kanë marra masa shumë muaj më parë për ta përballuar më lehtë furnizimin me energji gjatë periudhës së dimrit, Ministria e Ekonomisë në Kosovë mori vendimin e parë për kursim të energjisë elektrike në objektet e institucioneve publike.
Por këto masa po vlerësohen të pamjaftueshme, në krahasim me vështirësitë që vendi pritet të përballet disa muaj pas.
Njohësja e energjetikës Pranvera Dobruna-Kryeziu, vlerëson se Ministria e Ekonomisë duhet të vazhdojë me masa edhe për sektorin privat.
Në mesin e masave të aprovuara nga qeveria, kërkohet nga institucionet qendrore, lokale dhe ato publike, që të zëvendësojnë poçet standarde me ato LED, të ndalet çdo billboard apo reklamë që shfrytëzon energjinë elektrike, ndriçimi dekorativ në të gjitha objektet, si dhe të ulin temperaturat për ngrohjen e hapësirave të jetë jo më shumë se 19 gradë. /Gazeta10