“Ëndrra dardane” për kualifikim në “EURO 2024” vazhdon sonte në Bukuresht të Rumanisë.
Në “Arena Nationala”, Kosova do të sfidohet nga Rumania, në ndeshjen e gjashtë kualifikuese për kampionatin evropian, e cila nis nga ora 20:45.
Në këtë ndeshje, të drejtuar nga Primoz Gliha, “Dardanët” hyjnë pas barazimit 2-2 me Zvicrën, gjersa Rumania pas barazimit 1-1 me kombëtaren e Izraelit.
Deri më tani, Kosova nuk e ka asnjë fitore, teksa në 5 ndeshje ka arritur 4 barazime dhe ka pësuar disfatë në një sfidë.
Në Rumani, Kosova ka udhëtuar me të gjithë fondin e lojtarëve dhe ndonëse ishte raportuar se do të mungojë sonte, Aro Muric është i gatshëm të jetë mes shtyllave për kombëtaren dardane.
Kosova gjendet në grupin I, aty ku renditet e pesta me 4 pikë, ndërsa Rumania e gjen veten në pozitën e dytë me nëntë pikë. E para në grup është Zvicra me 11 pikë të tubuara.
Kjo është ndeshja e fundit e Kosovës për këtë muaj, me “Dardanët” që katër ndeshjet tjera të mbetura i zhvillojnë në muajt tetor dhe nëntor, për të përmbyllur këtë cikël kualifikues.